Pyetja:

Jam e martuar qe 2 vjet dhe ende nuk kam fëmijë. E fali namazin dhe çdoherë e lus Zotin të më jep fëmijë po ende nuk kam. A ka ndonjë lutje-dua të veçantë që mund ta bëj. Shpresoj te Allahu se do të më jep edhe mua fëmijë se Zoti e di më mirë për mua se kur duhet të më jep, nëse më jep. Po çdoherë e qetësoj veten se edhe nëse nuk kam në dynja Allahu do të më shpërblej me xhenet e atje të më jep fëmijë.

***

Përgjigjja:

Allahu të furnizoftë me fëmijë të hairit, që do t’ua qetësojnë syrin tuaj në dynja dhe në ahiret!

Duhet ta dini se Allahu të gjithë bashkëshortët i klasifikon në njërën prej katër kategorive:

U jep vetëm vajza,
U jem vetëm djem,
U jep nga dy gjinitë dhe
Nuk u jep fare.

Allahu thotë: “I Allahut është pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çfarë të dojë. Ai i dhuron vajza kujt të dojë e djem kujt të dojë. Disave u dhuron të dyja gjinitë: djem e vajza; e, kë të dojë e lë pa fëmijë. Vërtet, Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Fuqishëm.” (Shura: 4950)

Sprova me mos-furnizim me fëmijë u ka ndodhur edhe të dërguarve të Allahut, andaj asnjëherë nuk duhet kuptuar atë si diskriminim apo nënçmim prej Allahut, përkundrazi, ajo sprovë mund ta ketë vlerën më të madhe nëse i bëhet sabër se sa vet lindja dhe edukimi i një fëmije në raste të caktuara. Mirëpo, nuk është turp e as mëkat që të kërkohen rrugët e lindjes si dhe lutjet drejtuar Allahut, ashtu siç vepruan edhe të dërguarit e Allahut, Ibrahimi dhe Zekerijau:

O Zoti im, dhuromë një fëmijë prej të mirëve!” Dhe Ne i dhamë lajmin e gëzuar për një djalë të mbarë!” (Saffat, 100101)

Kâf, Hâ, Jâ, Ajn, Sád. Ky është rrëfim për mëshirën e Zotit tënd ndaj robit të Tij – Zekerijas. Kur ai e thirri Zotin e vet me lutje të fshehtë (duke thënë): “O Zoti im! Eshtrat tashmë më janë dobësuar, koka më ndriçon nga thinjat dhe asnjëherë nuk kam mbetur i zhgënjyer nga lutja ime për Ty, o Zoti im! Unë u frikësohem (sjelljeve të) të afërmve të mi pas meje, ndërsa bashkëshortja ime është beronjë; andaj, më dhuro nga ana Jote një pasardhës, që të më trashëgojë mua dhe familjen e Jakubit. O Zoti im, bëje atë të pëlqyeshëm (për Ty)!” “O Zekerija, Ne po të japim lajmin e mirë për një djalë që do të quhet Jahja. Askujt nuk ia kemi dhënë këtë emër më parë”. Ai tha: “O Zoti im, si mund të kem unë djalë, kur bashkëshortja ime është beronjë dhe unë kam arritur pleqërinë e thellë?!” I tha: “Ashtu ka thënë Zoti yt. Kjo për mua është lehtë. Unë të kam krijuar edhe ty më parë, ndërkohë që nuk ekzistoje”. (Merjem, 19)

Motër e nderuar, shihet qartë se në të dy rastet lutja e këtyre të dërguarve për furnizim me fëmijë ka qenë e shoqëruar me lutjen që të jetë prej të mirëve apo prej të pëlqyeshmëve tek Allahu. Këtë brengë duhet ta ketë ai i cili dëshiron të furnizohet me fëmijë, e jo çfarëdo fëmije të jetë. Allahu i ka lavdëruar ata që bëjnë dua për fëmijë të mirë:

“(Robërit e të Gjithëmëshirshmit janë) edhe ata që thonë: “O Zoti ynë, dhurona nga gratë tona dhe trashëgimtarët tanë, ç’është prehje për sytë tanë dhe bëna shembull për të mirët!” Njerëz të tillë do të shpërblehen me Xhenet të lartë për durimin e tyre dhe do të mirëpriten e do të gjejnë paqe.” (El-Furkan, 7475)

Ju meqë keni dy vite dhe nuk jeni e vonuar, në kuadër të shkaqeve për shtatzëni, drejtoju Allahut me lutje për fëmijë të ndershëm e të pranuar tek Allahu. Por mos harro se në çdo situatë mund t’i takoni ndonjërës prej katër situatave të lartpërmendura, e që secila prej tyre i ka shqetësimet e veta, edhe pse disa numërohen si më të vështira se disa të tjera. E në rast se ju përsëri nuk furnizoheni me fëmijë, kalojeni provimin e sprovës me sabër me notë të lartë dhe përgatitu për ta shijuar shpërblimin e Allahut enkas për durimtarët. Allahu thotë:

Sigurisht që Ne do t’ju provojmë me frikë dhe uri, me dëmtim të pasurisë, të njerëzve dhe të të lashtave! Prandaj, përgëzoji të duruarit, të cilët, kur i godet ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” (Bekare, 155156)

Allahu i do të duruarit.” (Ali Imran, 146)

Thuaj: “O robër besimtarë (të Allahut), frikësojuni Zotit tuaj! Ata që bëjnë mirë në këtë jetë, do të kenë të mira. Toka e Allahut është e gjerë. Vetëm ata që janë të durueshëm, do të shpërblehen pa masë”. (Zumer, 10)

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku