Pyetja:

Nëna ime kur ka qenë e re e ka abortuar fëmijën e saj që ka qenë në javën e parë të shtatzënësisë, pra ende nuk ka qenë i zhvilluar fëmija. Kjo ka ndodhur në një kohë të vështirë për ne, ngase ajo i ka pasur 5 vajza e të gjitha kemi qenë nën moshën 7 vjeçare dhe kemi qenë jashtë vendit e donin të na kthenin në kohën e luftës. Pra, ajo ka pasur shumë vajza e nuk ka mundur që ta ketë edhe një fëmijë që është supozuar të jetë po ashtu vajzë. Tani ajo shumë pendohet që e ka bërë atë gabim dhe thotë të kisha mundur ta kthej kohën që të mos e kisha bërë. A është e falshme kjo që ka bërë pasi pendohet aq shumë?

***

Përgjigjja:

Në pyetjen tuaj, shënohet një dilemë, që shkakton paksa huti. Është fjala tek fjalitë se e ëma e juaj “ka abortuar në javën e parë të shtatzënësisë” dhe fjalia tjetër se fryti apo fetusi është “supozuar të jetë po ashtu vajzë”. Dilema është në faktin se si u identifikua fryti të ishte i gjinisë femërore?!

Sido që të jetë, është mirë që nëna e juaj ka ndjenjën e pendimit lidhur me abortin që e ka bërë. Aborti sipas Sheriatit e ndryshon dispozitën varësisht prej fazave kur bëhet gjatë periudhës së shtatzënësisë.

1. Nëse fetusi nuk i ka kaluar 40 ditë, pra është në fillim të shtatzënësisë, abortimi është i ndaluar sipas mendimit më të saktë të dijetarëve, por mëkati është më i vogël në krahasim me rastet e poshtëpërmendura.

2. Nëse embrioni i ka kaluar 40 ditë duke mos i arritur 120 ditë, nuk lejohet abortimi, përveç në dy raste:

a) nëse të vazhduarit e shtatzënisë i shkakton nënës sëmundje të papërballueshme, ose do të mbetet me dhembje edhe pas lindjes;

b) nëse vërtetohet se foshnja do të lindë me të meta fizike apo psikike, duke mos pasur shpresë në shërimin e saj pas lindjes.

3. Nëse embrioni i ka kaluar 120 ditë, ndalohet rreptësisht abortimi i foshnjës, përveç rastit kur vihet në pikëpyetje jeta e nënës. Nëse nëna ka mundësi të mbetet e gjallë nuk lejohet abortimi, e nëse është e sigurt që me vazhdimin e shtatzënisë nëna do të vdesë, lejohet që të ndodh abortimi, për të shpëtuar njërën jetë.

Por edhe nëse konsiderohet se nëna e juaj ka bërë mëkat, duhet ta dijë ajo se me pendim të sinqertë e shlyen atë mëkat. Me pendim të sinqertë kemi për qëllim që ajo të pendohet për veprën e kryer, gjë që ka ndodhur, të kërkojë falje tek Allahu për veprën e kryer dhe të mos e përsërisë më.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku