Pyetja: Jam duke u fejuar me një djalë dhe jam shumë mirë me atë person. Është i udhëzuar, i fal pesë kohët e namazit, është si një burrë që duhet me qenë. Por babai im është shumë kundër. Ndonëse po dua me ditë a jam tu hy në gjynah që nuk e kam dëgju prindin tem dhe që e kam hidhëru për këtë punë?
Unë kam pas lidhje 2-vjeçare me atë djalin në fshehtësi dhe kemi vendos me u feju. Ia kam tregu babait tim, por atij nuk i ka pengu lidhja në fshehtësi, por i ka pengu vendi prej nga është djali. Sepse në atë vend kanë ndodhë sende të këqija, e njerëzit në atë vend kanë bo sende të këqija dhe njihet si vend pak për njerëz të këqij disa.?!
Përgjigja: Sa i përket pyetjes në fjalë, këtë çështje do ta komentoja apo shpjegoja kështu:
Së pari, kanë kaluar dy vite, dhe ndonëse babai i vajzës ka qenë në dijeni, ai ka heshtur. Kjo heshtje është interpretuar si një lloj miratimi. Por kjo nuk ka qenë arsye që vajza të vazhdojë lidhjen me djalin, të takohet me të apo të flasë me të. Në aspektin fetar, kjo ka qenë e ndaluar dhe për këtë ka nevojë për pendim dhe keqardhje. Edhe pse heshtja e babait mund t’i ketë mashtruar apo u ka dhënë një ndjesi komoditeti për ta vazhduar lidhjen, ajo nuk është bazë e mjaftueshme sipas sheriatit që të ketë marrëdhënie të tillë para martese.
Së dyti, nëse vajza është martuar me të njëjtin djalë me të cilin ka qenë në lidhje, kjo nuk e heq gjynahun, por e zbut gabimin. Sepse në fund të fundit, ajo lidhje që nisi në mënyrë të gabuar përfundoi në martesë me të njëjtin person dhe kështu është dashur të ndodhë që në fillim. Nëse ajo është martuar me një djalë tjetër, atëherë duhet të lërë pas çdo gjë që ka ndodhur më parë me të parin, ta mbyllë atë faqe, të mos e përmendë kurrë dhe t’i përkushtohet jetës me burrin aktual me të cilin ka kurorëzuar.
Sa i përket aspektit ligjor e fetar të martesës, kur babai ia jep vajzën djalit, duhet të jenë të pranishëm dy dëshmitarë. Martesa kërkon procedura të thjeshta, por të domosdoshme për t’u dalluar nga një bashkim jo i ligjshëm. Duhet të ketë miratimin e kujdestarit (babait), pëlqimin e vajzës dhe të djalit, dhe prezencën e dëshmitarëve. Nëse këto janë plotësuar dhe babai e ka pranuar me “të bëftë mirë”, atëherë martesa është e vlefshme.
Nëse tani babai është mërzitur për shkak të të kaluarës dhe pyet pse ka zgjatur lidhja para martesës, atëherë vajza duhet t’i shpjegojë se ajo kohë ka kaluar, se është penduar sinqerisht dhe se nuk ka kthim mbrapa.
Nëse babai është hidhëruar për shkak të fjalëve që ka dëgjuar për djalin apo familjen e tij, kjo nuk është arsye që të prishet martesa. Sepse ne, si popull, kemi zakon të përgjithësojmë padrejtësisht. Nëse një person ka gabuar, nuk do të thotë që të gjithë të afërmit apo gjithë rajoni janë të njëjtë. Nuk është e drejtë që një djalë i mirë të paragjykohet për shkak të familjes apo të të parëve të tij. Edhe shokët e Profetit alejhi selatu we selam (sahabët) – disa prej tyre kishin të kaluar ose familje me të kaluar jo të mirë, por ata vetë u bënë burra të mëdhenj.
Nëse djali është i mirë, nuk ka probleme, nuk është i dhunshëm dhe nuk ka sjellje të këqija, atëherë vajza ka të drejtë ta vazhdojë jetën me të. Duhet bërë përpjekje për pajtim me babanë, dhe edhe dhëndri duhet të luajë rolin e tij me shumë edukatë, respekt dhe sjellje të mirë. T’i tregojë me vepra babait të vajzës që ai është njeri i mirë dhe se fjalët që mund të jenë thënë për të nuk janë të vërteta, ose nuk kanë të bëjnë me të fare.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha





