Pyetja:
Si duhet ta trajtojmë individin i cili thotë se është musliman, por nuk falet dhe nuk agjëron? A jemi të obliguar ta përshëndesim me selam dhe kur të vdes a t’ia falim xhenazen?
***
Përgjigjja:
Kjo i ngjan shembullit të njeriut, i cili caktohet nga shoqëria të cilës i takon për kryerjen e ndonjë detyre, për të cilën do të shpërblehet nëse e kryen me rregull, por edhe bëhet përgjegjës për kryerjen e atij obligimi. Megjithatë, nëse ky njeri nuk e kryen detyrën e besuar, edhe pse është i shëndoshë psiqikisht dhe fizikisht, dmth e le punën pa arsye, atëherë ky njeri mund të gjykohet në dy mënyra:
1- Me largim nga vendi i punës për shkak të mosrespektimit të detyrës ose
2- Me dënim më të butë së largimi nga puna, nëse nuk i ka nënçmuar publikisht obligimet e veta.
Kështu sqarohet qëndrimi i dijetarëve islam mbi muslimanin i cili me vetëdije nuk i kryen obligimet fetare, e posaçërisht faljen e pesë namazeve gjatë ditës. Disa prej tyre konsiderojnë se obligimi thelbësor i çdo muslimani, e madje çdo njeriu në jetën e tij është përulja vetëm Allahut xh.sh. Mosnënshtrimi ndaj Allahut xh.sh., konsiderohet si tradhëti e detyrës më qenësore të një muslimani dhe për këtë shkak individi i tillë nuk meriton ta mbajë emër muslimani, e as të gjendet nën mbrojtjen e Islamit.
Këtë mendim e përforcojnë edhe këto hadithe të besueshme:
“Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e namazit.”
“Ajo me çka dallohemi me ta (mosbesimtarët) është namazi, pra kush e le namazin është mosbesimtar.”
Ca dijetarë tjerë konsiderojnë se nëse individi i cili ka lënë pas dore ndonjë obligim islam duke mos e përbuzur atë, ndërsa kohë pas kohe e kryen, duke u penduar për lëshimet e veta dhe duke synuar kah përmirësimi, do të trajtohet si musliman.
Sipas asaj që deri tani e thamë, ata që e lënë faljen, e bëjnë këtë nga dy shkaqe:
1. Për shkak se mohojnë se namazi është obligim dhe nuk i kushtojnë kurrfarë rëndësie atij. Të tillët sipas mendimit unanim të dijetarëve islamë trajtohen si mosbesimtarë dhe renegatë, sepse roli dhe rëndësia e namazit në Islam janë të njohura.
Pra, çdonjëri që mohon, nënçmon dhe përgënjeshtron urdhërin e Zotit dhe të Dërguarit të Tij trajtohet si mosbesimtar, në zemrën e të cilit nuk ka besim (iman) as sa kokrra e grurit. Për këtë lloj të njerëzve Allahu xh.sh., thotë:
“…Atij që kundërshton Allahun dhe të Dërguarin e Tij i takon zjarri i xhehennemit, aty mbetet përgjithmonë.” (Xhinn: 23)
“Edhe kur i thirrni për t’u falur, ata e marrin për tallje e lojë. Këtë e bëjnë për shkak se janë njerëz që nuk kuptojnë.” (Maide: 58)
Këto ajete mjaft mirë përshkruajnë pozitën e atyre që namazin dhe ibadetet tjera i konsiderojnë si shenja të prapambeturisë dhe dekadencës, duke i përqeshur ata që falen.
2. Nuk e kryejnë faljen nga përtacia, të preokupuar me këtë botë duke shkuar pas epsheve të veta dhe mashtrimeve të ndryshme të shejtanit.
Rreth kësaj çështjeje dijetarët islamë kanë dhënë këto përgjigje:
Ebu Hanife:
“Personi i tillë do të konsiderohet si mëkatar.”
Maliku dhe Shafiu:
“Njeriu i tillë është mëkatar. Ai nuk do të konsiderohet si jobesimtar.”
Kuptohet, mendimi i këtyre dijetarëve bazohet në Kuran dhe në hadithe të besueshme.
Në Kur’an theksohet edhe rasti, i cili tregon gjendjen e mohuesve në Ditën e Gjykimit:
“Atë ditë mjerë përgënjeshtarët! Se kur u thuhej “Përuluni!” nuk përuleshin. Atë ditë mjerë përgënjeshtarët!” (Murselat: 47, 48)
Se si do të ndihet jobesimtari në Ditën e Gjykimit përshkruan ky ajet:
“Atë ditë, kur të shpallet çdo send dhe të thirren për të bërë sexhde, nuk do të munden. Me shikime të varura dhe me poshtërsi mbuluar, se kanë qenë të thirrur të bëjnë sexhde deri sa ishin të shëndoshë.” (Kalem: 42, 43)
Allahu i Lartmadhëruar për politeistët thotë:
“…Por nëse pendohen, e kryejnë faljen dhe e japin zekatin, atëherë lëshojuani rrugën, se vërtet Allahu fal, është Mëshirues.” (Teube: 5)
Gjithashtu përshkruhet edhe dialogu mes besimtarëve dhe jobesimtarëve në Ditën e Gjykimit:
“(Besimtarët) do të pyesin ç’ju solli në Sekar?
(Jobesimtarët) Do të thonë: Ne nuk e kryenim namazin, nuk i ushqenim të varfërit dhe përziheshim me të tjerët në punë të kota, ndërsa Ditën e Gjykimit nuk e besonim, derisa nuk na erdhi vdekja!” (Muddeththir: 42, 43)
Pra, gjëja e parë që do t’i shtiejë në zjarr do të jetë moskryerja e faljes.
Ajeti vijues na tregon virtytet e dyftyrëshave:
“Dyftyrëshat përpiqen ta mashtrojnë Allahun, por Allahu i mashtron ata. Kur ngrihen ta falin namazin, ngrihen me përtesë dhe e bëjnë këtë vetëm për t’u dukur te njerëzit, ndërsa Allahun e përmendin fare pak!” (Nisa: 142)
Gjithashtu, nëse u drejtohemi haditheve të të Dërguarit të Zotit ﷺ, mund të vërejmë se edhe ato e vlerësojnë si mosbesimtar atë që me vetëdije le pas dore faljen. Ndër hadithet që trajtojnë këtë temë numërohen edhe këto:
“Mes njeriut dhe mosbesimit është lënia e faljes.”;
“Ajo me çka dallohemi nga ata (mosbesimtarët) është namazi. Kush e lë atë (namazin) bëhet mosbesimtar.”;
“Kurrë mos e le ndonjë namaz me vetëdije, sepse ai që e le namazin me vetëdije është i privuar mbrojtjes së Allahut!”
“Kush rregullisht e kryen namazin do t’i jetë dritë, shpëtim dhe dëshmi në ditën e Gjykimit, e kush nuk e kryen rregullisht atë, nuk do të ketë dritë, shpëtim e as dëshmi dhe në ditën e Gjykimit do të jetë me shoqërinë e Karunit, faraonit, Hamanit dhe Ubejj b. Halefit.”
“Atij që i kalon namazi i ikindisë është sikur ai, të cilit i është gjymtuar (cunguar) familja dhe pasuria e vet.”
“Për dyftyrëshat (munafikët) nuk ka namaz më të rëndë se sabahu dhe jacia (në xhami), e po ta dinin se çfarë shpërblime kanë për ta, do t’i falnin qoftë edhe duke shkuar zvarra.”
Gjithashtu, edhe as’habët, pa përjashtim konsiderojnë se personi që nuk falet duhet trajtuar si jobesimtar dhe renegat:
Abdull-llah b. Shekik el-Ukajli r.a thotë: “As’habët e Pejgamberit ﷺ konsiderojnë se obligimi i vetëm, lënia e të cilit shpie në mosbesim është namazi.”
Aliu :
“Ai që nuk falet është jobesimtar!”
Ibn Abbasi :
“Kush e lë pas dore namazin është bërë mosbesimtar!”
Ibn Mes’udi :
“Kush e lë pas dore namazin, nuk ka fe!”
Xhabir b. Abdull-llahu :
“Mosbesimtar është ai që nuk falet!”
Ebu Derda:
“Nuk ka fe ai që nuk praktikon namazin, dhe nuk ka namaz ai që nuk ka marë abdest!”
Is’hak b. Ruvejhi:
“Me besnikëri është transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ai që nuk falë namaz është mosbesimtar, por gjithashtu mosbesimtar konsiderohet edhe ai që me vetëdije dhe pa arsye e shtyen faljen e namazit.”
Ejjub es-Sihtijani thotë:
“Është e padyshimtë se lënia e namazit është mosbesim!”
Hafidh Mundhiri, pas të theksuarit të haditheve dhe thënieve të as’habëve mbi këtë temë, thotë: “Një grup i as’habëve dhe tabi’inëve i konsiderojnë si mosbesimtarë edhe ata që e shtyejnë faljen e namazit deri atëherë sa nuk kalon koha e tij. Mes këtyre gjenden edhe: ‘Umeri, ibn Mes’udi, ibn Abasi, Muadh ibn Xhebeli, Xhabir ibn Abdull-llahu, Ebu Derda, Ahmed ibn Hambeli, Is’hak b. Ruvejhi, Abdull-llah b. Mubaraku, Ibrahim en-Nehai, Hakim b. Utejbe, Ejjub es-Sahtijeni, Ebu Davud et-Tajalisi, Ebu Bekr b. Ebi Shejbe, Zuhejr b. Harbi dhe të tjerë, (Zoti qoftë i kënaqur me ta).
Këto janë mendime të transmetuara nga dijetarët e njohur islamë, tabi’inët dhe as’habët për mosbesimin e atij i cili qëllimisht, qoftë edhe një namaz e le pa e falë, e çfarë është atëherë qëndrimi i tyre ndaj atij i cili ka kaluar vite të tëra duke mos e përkulur kurizin kurrë që t’i bie në sexhde Allahut xh.sh.
Pas gjithë kësaj që theksuam, mund të përfundojmë se ai i cili nuk e kryen namazin është:
-Mosbesimtar, nëse nuk falet duke e përbuzur kryerjen e namazit dhe rëndësinë e tij, ose:
-Mëkatar i madh, (e sipas disave përsëri mosbesimtar), nëse nuk e kryen atë për shkak të dhënies pas epsheve dhe dëshirave të veta.
Sipas mendimit më të butë, personi i tillë është mëkatar, i cili nuk është larg as nga kufri (mosbesimi), sepse nuk ka dyshim se mëkatet shpiejnë njëri në tjetrin, të vegjëlit nxisin në të mëdhenj, dhe kështu lehtë arrihet në mosbesim.
Për këtë shkak, është e domosdoshme që çdo njeri që ndihet si musliman ndërsa nuk e fal namazin, t’i rishqyrtojë veprat dhe rrugën e tij, t’i pendohet All-llahut xh.sh dhe ta përforcojë besimin me kryerjen e përhershme të namazit, njëlloj siç është e domosdoshme që besimtarët ta këpusin çdo kantakt me ata që me këmbëngulje qëndrojnë në mendimin se namazi nuk është obligim i muslimanit. Gjithsesi, kjo vlen nëse besimtarët i kanë këshilluar më parë ata, ndërsa ata nuk i kanë pranuar këshillat e tyre me kokëfortësi.
Namazi paraqet shtyllën kryesore të fesë, për moskryerjen e së cilës nuk ka ndjesë, përveç kur personi e humbë vetëdijen dhe nuk di se çka flet, e të gjitha sëmundjet tjera nuk janë arsye e mjaftueshme që namazi të mos falet, qoftë edhe nëse personi është i paralizuar apo rëndë i plagosur.
Sipas Ligjit Islamik (sheriatit) të sëmurit duhet thënë:
“Pastrohu si dhe sa të mundesh. Ulu qysh të mundesh, por mos e lësho namazin. Pastrohu me ujë, e nëse nuk ke ujë merr tejemmum, me dhè të pastër. Falu në këmbë, nëse kështu nuk mundesh, falu ulur, nëse nuk mundesh as kështu, falu i mbështetur në anën e djathtë apo i shtrirë në shpinë, e nëse as kështu nuk mundesh, atëherë lëvize kokën ose vetëm sytë, në kuptim të fjalëve të Allahut xh.sh:
“Andaj, sa te keni mundësi ruajuni prej dënimit të Allahut!” (Tegabun: 16)
Në përputhje me atë që thamë, vërejmë përgjegjësinë e mbarë shoqërisë për moskryerjen e këtij obligimi, e sidomos të çdo individi në kuadër të kompetencave të veta: babai është përgjegjes për djemtë dhe vajzat e moshës jomadhore, burri për gruan e tij, etj.
Allahu xh.sh thotë:
“Urdhëro familjen tënde që të falë namaz, e edhe ti vetë zbatoje atë, ngase Ne nuk kërkojmë prej teje ndonjë furnizim. Ne të furnizojmë ty. Ardhmëria e mirë i takon atij që ruhet.” (Ta Ha: 132)
Gjithashtu Allahu xh.sh thotë:
“O ju që besuat, ruajeni veten dhe familjen tuaj nga zjarri, lëndë djegëse e të cilit janë njërëzit dhe gurët!” (Tahrim: 6)
Nëse me të vërtetë bashkëshorti e do gruan e tij, ndërsa babai fëmijët e tij, dhe nuk dëshirojnë që t’i humbin, atëherë le t’i mbrojnë nga zjarri duke u keshilluar me nënshtrim ndaj Krijuesit të tyre, para së gjithash me kryerjen e namazit.
Na ka mbetur edhe një çështje, të cilën jemi të obliguar ta spjegojmë, e kjo është se a jemi të obliguar t’ia falim xhenazen atij që nuk e ka falur namazin…
Kjo çështje gjithsesi varet se a ka qenë njeriu mosbesimtar, ose vetëm mëkatar i rëndë.
Sipas mendimit të dijetarëve, nëse njeriu që ka vdekur ka qenë i thirrur nga Imami (kryetari) i asaj kohe ose gjykatësi i sheriatit (si zëvendës i tij) që ta falë namazin, e ky nuk ka pranuar, atëherë nuk do t’i falet namazi pasiqë do të konsiderohet si mosbesimtar. Kjo vlen për njeriun i cili përveç namazit ka bërë edhe lëshime të tjera, siç janë mosndershmëria dhe moskryerja e obligimeve tjera islame.
Megjithatë, nëse personi nuk e ka mohuar namazin si obligim, ndonjëherë është falur e ndonjëherë jo, atëherë këtij personi do t’i falet namazi dhe i njëjti do të varroset në varrezat e muslimanëve.
U apelojmë besimtarëve, të cilët deri tani nuk kanë praktikuar namazin nga shkaqe të ndryshme që t’i drejtohen sinqerisht Krijuesit të tyre Allahut me pendim, dhe të fillojnë praktikimin e këtij obligimi të domosdoshëm për çdo besimtar. Nuk ka dyshim se Ai është Mëshiruesi, Falësi i mëkateve, i Cili me kënaqësi do t’ua pranojë pendimin e sinqertë dhe do t’ua falë mëkatet e mëparëshme inshaAllah.
“O ju që keni besuar, pendohuni te Allahu me një pendim të sinqertë!” (Tahrim)
“O ju që besuat, keni frikë Allahun me një sinqeritet të vërtetë dhe mos vdisni ndryshe, pos duke qenë muslimanë!” (Ali lmran: l02)
Pra, si përfundim mosfalja e namazit duke e mohuar atë të bën jobesimtar dhe s’ka rëndësi shumë nese e fal në xhami apo në shtëpi ose në rrugë sepse xhamia është vend tubimi dhe ajo nuk konsiderohet si tokë e shenjtë.
Falenderimi i takon Allahut që na e mundësoi këtë.
Qoftë paqja mbi Lajmëtarin e Fundit, Muhammedin ﷺ, familjen e tij, shokët e tij, si dhe mbi ne dhe të gjithë ata që do ta pasojnë rrugën e drejtë.
Dr. Jusuf el-Kardavi
Përktheu: Bashkim Aliu