Pyetja:

A është gjynah që babai i burrit nuk më lejon t’i vizitoj prindërit? Bëhet një muaj, ose dy muaj që nuk shkoj dhe, kur shkoj, më lënë të rri vetëm një natë. Unë për këtë i them edhe burrit vazhdimisht, por po ju pyes edhe juve, ngase nuk më duket normale.

***

Përgjigjja:

Është e vërtetë se akoma në vendet tona ekziston një mentalitet që babai i burrit, gjegjësisht vjehrri, vendos për shumë gjëra që kanë të bëjnë me nusen e djalit, dhe sikur ai ka të drejtë edhe më tepër se djali të vendosë për të në disa gjëra. Bile, djali ndien përgjegjësi dhe konsiderohet gabimtar nëse nuk e pyet prindin për disa gjëra për gruan e tij.

Është krejt normale të respektohen prindërit, dhe është mirë që prindërit kanë ende respekt sa që pyeten edhe për çështjen e nuses. Mirëpo, në asnjë mënyrë kjo nuk guxon të keqpërdoret dhe të teprohet në këtë drejtim nga ana e prindit. Respekti ndaj tij, nuk do të thotë se ai është i vetmi që vendos për nusen, gjegjësisht gruan e djalit. Jo, kjo nuk është në rregull, bile duhet të dihet qartë se, nga aspekti fetar, nusja nuk është e obliguar ndaj babait të burrit. Është e vërtetë se ka mendime të ndryshme të dijetarëve në këtë drejtim, mirëpo, sado që të dallojnë mendimet e tyre, të gjithë pajtohen në faktin se përgjegjës për gruan është burri e jo babai i burrit, dhe në parim gruaja duhet të kontaktojë dhe të marrë leje prej burrit, e jo prej babait të burrit.

Në aspektin fetar, babai i burrit nuk ka të drejtë që ta ndalojë nusen e djalit nga vizita e prindërve të saj. Nëse e bën diçka të tillë, ose i thotë djalit që mos e lëshojë të shkojë te prindërit t’i vizitojë, pa ndonjë shkak të arsyeshëm për këtë gjë, ai pa dyshim është mëkatar dhe i hyn ndër hak nuses. Nuk është në rregull të veprojë kështu dhe djali nuk duhet që ta zbatojë urdhërin e prindit në raste të këtilla kur nuk ka të drejtë. Djali, pra burri, duhet ta kuptojë se gruaja ka familje dhe ka prindër, dhe se ajo është martuar me atë, e nuk është rob i tij. Feja martesën nuk e sheh si lidhje nënshtrimi dhe robërie, por lidhje dashurie, qetësie dhe mirëkuptimi. Allahu i Madhërishëm në Kuranin famëlartë ka thënë: “Dhe nga faktet (e madhërisë) e Tij është që për të mirën, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri e mëshirë…’’ (Rum: 238) Për këtë, ai nuk bën as vetë ta ndalojë për kot gruan të mos shkojë te prindërit kaq gjatë, po as këtë ta bëjë për shkak se këtë e kërkojnë prej tij prindërit. Burri duhet të jetë fleksibil, ta kuptojë nevojën e gruas që t’i vizitojë prindërit dhe ta kuptojë se fetarisht nuk është në rregull ta ndalojë gruan nga vizita e prindërve.

Në rastin tuaj, nëse burri juve nuk ua dëgjon fjalën, do të ishte mirë të gjeni ndonjë person me të cilin kontakton dhe ka respekt ndaj tij që t’ia shpjegojë këtë çështje, ose vetë ai, ose duke kontaktuar me ndonjë hoxhë. Është mirë t’i ofrosh diçka të lexojë në këtë drejtim, pra për obligimet që ka ndaj gruas dhe miqve, ndoshta do ta kuptojë se është gabim.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu