Pyetja:

A është i vlefshëm abdesi nëse flokët apo trupin e ke të lyer me ndonjë krem apo me ndonjë balsam për flokë siç është “leave in conditioner”, apo ndonjë tjetër krem, të cilat përmbajnë përqindje alkooli?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Në lidhje me këtë duhet të bëjmë dy sqarime.

Sqarimi i parë: A pranohet abdesti nëse lyhen flokët ose trupi me këto lloje të kremrave, pasi këto mund të pengojnë arritjen e ujit?

Këtë e kemi sqaruar në një përgjigje më të hershme, prandaj mund të lexoni aty: http://pergjigje.net/index.php/2019/10/06/a-eshte-e-lejuar-marrja-e-abdestit-nese-i-ke-floket-e-lyera-me-gell-xhel-2/

Përdorimi i alkoolit në preparate ose prodhime që nuk destinohen për ushqim dhe pirje ka filluar me të madhe, posaçërisht dekadave të fundit. Në kohërat e kaluara ky përdorim nuk ishte evident dhe alkooli shfrytëzohej kryesisht për pirje. Prandaj shohim se si qëndrimi i fukahave të vjetër i të gjitha medhhebeve ishte se alkooli është i ndyrë dhe duhej larguar nga përdorimi në të gjitha format. Vërtetohet se këtë mendim nuk e kanë kundërshtuar vetëm se një numër shumë simbolik i fukahave të vjetër, prandaj edhe disa fukaha kanë përcjellë se në këtë ka ixhma (konsensus), pra se alkooli është ndyrësirë dhe se nuk duhet përdorur në asnjë mënyrë.

Sido që të jetë, qëndrimi se alkooli nuk është ndyrësirë ishte qëndrim i disa fukahave që nga kohërat e hershme dhe përcjellja e ixhmait nuk është i qëndrueshëm. Ndër fukahatë më të vjetër përcillet se Rabiatu Re`ji (mësuesi i Imam Malikut) kishte këtë mendim.

Pa u zgjeruar më shumë në këtë, themi se mendimi më i qëndrueshëm është se alkooli është i pastër, pasi domethënia e fjalës “rixhs”, “ndyrë-ndyrësirë”, në ajetin: “O ju që besuat, s’ka dyshim se vera, bixhozi, idhujt dhe hedhja e shigjetës (për fall) janë vepra të ndyta nga shejtani.” (Maide: 90), është për qëllim nga aspekti kuptimor, ashtu si Allahu i Lartësuar u thotë mushrikve në ajetin: “Vërtet idhujtarët (mushrikët) janë të ndyrë…” (Tevbe: 28)

Papastërtia, e cila përmendet si në ajetin e parë ashtu edhe në të dytin, është për qëllim nga aspekti kuptimor i tyre e jo se ato gjëra të përmendura janë të ndyra sikurse urina dhe ndyrësirat e tjera. Askush nga dijetarët nuk ka thënë se nëse e prekim mushrikun, duhet ta pastrojmë dorën, pasi nuk është e njëjtë me prekjen e ndyrësirës. Prandaj qëndrimi i dijetarëve të cilët thonë se alkooli është i ndyrë vetëm nga aspekti kuptimor është më i saktë.

Duke pasur parasysh sqarimin e lartpërmendur, themi se lejohet të përdoren parfumet dhe kremrat të cilat përmbajnë sasi alkooli, por me kusht që sasia të mos jetë e madhe. Si rezultat i kësaj lejohet edhe të marrim abdest nëse i kemi të lyera flokët me kremra të këtilla. Allahu e di më së miri!

Alaudin Abazi