Pyetja:

A lejohet agjërimi i gjashtë ditëve në tjetër muaj veç Shevalit?

***

Përgjigja:

Këtë çështje e ka përmendur një dijetar i medhhebit hanbeli që quhet El-Mirdauij në librin e tij të fikhut El-Insaf.
El-Mirdauij dijetar i madh i medhhebit hanbeli i vdekur në vitin 885 H duke komentuar një citat të librit El-Mukni’ të Ibn Kudames -Allahu e mëshiroftë- edhe ky dijetar i medhhebit hanbeli i vdekur në vitin 620 H: “Kush agjëron Ramazanin dhe pastaj e ndjek atë me gjashtë ditë nga Shevali sikur ka agjëruar gjithë kohën”

El-Mirdauij në komentimin e tij në librin e lartpërmendur thotë:
“Ajo që duket nga fjalët e autorit është se mirësia nuk arrihet nëse agjërohet jashtë Shevalit dhe kështu është e vërteta dhe këtë kanë cituar shumë prej pasuesve të medhhebit tonë.
Kurse në librin El-Furru’ (libër në fikh i një dijetari tjetër të madh Ibn Muflih i vdekur në vitin 763h nxënës i Ibn Tejmijes): mund të arrihet mirësia edhe jashtë Shevalit.

Kurse në librin El-Faik (një libër i njohur në fikh i dijetarit Ibn Kadi El-Xhebel i vdekur në vitin 771 H edhe ky nxënës tjetër i Ibn Tejmijes) thuhet: ky gjykim duhet verifikuar.
Unë them (fjalët janë të El-Mirdauit): ky mendim është i dobët dhe në kundërshtim me hadithin sepse Shevali i është bashkangjitur mirësisë së Ramazanit si muaji që është si oborri për Ramazanin dhe jo për shkak se çdo mirësi është me dhjetë si puna e saj dhe se agjërimi në të nga ana e mirësisë është si agjërimi detyrë i Ramazanit”.

Kështu ka gjykuar El-Mirdauij -Allahu e mëshiroftë- duke e përjashtuar mundesine e arritjes së shpërblimit me agjërimin e tyre jashtë Shevalit dhe nuk le pa përmendur se mendimi tjetër që e lejonte agjërimin jashtë Shevalit i Ibn Muflihut është mendimi i dijetarëve të medhhebit Maliki dhe fjalët e tij të plota në librin El-Furru’ janë: “Këtë gjë e ka përmendur Kurtubiu bazuar në faktin se mirësia e tyre (dmth: e gjashtë ditëve) vjen nga shpërblimi i çdo të mire me dhjetë si puna e tyre siç ka ardhur në hadithin e Theubanit dhe se kufizimi i tij me Shevalin është bërë për shkak se agjërimi në Sheval është më i lehtë ngaqë është bërë zakon nga Ramazani”.

Mirëpo mendimi i El-Midauit duket më afër të vërtetës sepse hadithi nga ana e jashtme është me të dhe së fundi këto janë ibadete dhe në ibadete shpesh herë nuk ecet me komentime logjike sepse logjika nuk arrin të kapë çdo gjë dhe Allahu e di më së miri.

Dr. Abdullah Nabolli