Pyetja:

A lejohet heqja e pikave të zeza nga fytyra apo konsiderohet ndryshim i krijesës së Allahut?

***

Përgjigjja:

Nuk ka kurrfarë problemi në heqjen e tyre ngaqë ato, të shumta siç gjenden, pa dyshim shëmtojnë fytyrën dhe bëjnë që njerëzit të mos e pëlqejnë kur ta shikojnë atë. Parimi në rast të këtillë është që çfarëdo që përdoret për zbukurim është e ndaluar dhe çfarëdo që përdoret për të hequr një të metë është e lejueshme. Dëshmia kundër të parës (zbukurimit) është që Pejgamberi ﷺ mallkoi gruan që bën dhe kërkon t’i bëhet tatuazh, dhe njëlloj ato që limojnë dhëmbët dhe kërkojnë t’u bëhet kjo. Për sa i përket dëshmisë në favor të së dytës (heqja e të metave), Pejgamberi ﷺ lejoi njeriun, hunda e të cilit që prerë, që të përdorë hundën e bërë nga argjendi, gjë të cilën njeriu edhe e bëri. Pastaj argjendi nisi të brehej, kështu që e urdhëroi njeriun të përdorë ar në vend të argjendit, ngaqë qëllimi i të bërit këtë qe për të hequr një të metë, kështu që merreni këtë parim dhe përfitoni prej tij. Duke pas thënë këtë, gratë që përpiqen të ndryshojnë errësirën në fytyrat e veta (të jenë më të bardha në fytyrë), përpjekjet e tyre janë të ndaluara ngaqë kjo bëhet për të ndryshuar krijesën e Allahut vetëm për zbukurim. Tash, nëse dikush thotë: “Çfarë thoni rreth ndreqjes së syve të vëngërt, a hyn kjo në heqjen e një të mete?” Përgjigja është se kjo hyn në heqjen e një të mete, kështu kjo është e lejueshme. Po, dhe ngjashëm, nëse ata ndreqin dhëmbët e shtrembët, kjo konsiderohet si (heqje e një) të mete, kështu që s’ka gjë të keqe me ndreqjen e tyre në mënyrë që të drejtohen radhët e dhëmbëve tjerë.

Shejh Ibn Uthejmin