Pyetja:

A lejohet përdorimi i hipnozës për shërimin e ndonjë sëmundjeje me lejen e Allahut, nëse është e mundur?

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshin mbi të Dërguarin e Tij Muhamed, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Është shumë problematike që të japim një përgjigje të prerë në lidhje me hipnozën, se a lejohet apo jo ta përdorim për shërim. Kjo për faktin se kemi shumë paqartësi në lidhje me aplikimin e saj; ajo përdoret edhe nga ana e magjistarëve dhe fallxhorëve ashtu si përdoret edhe në fushën e mjekësisë, edhe pse aplikimet e këtyre të fundit dallojnë nga ato të magjistarëve. Për këtë shkak disa dijetarë bashkëkohorë janë më rigorozë në këtë dhe e përgjithësojnë dispozitën pa bërë ndarjen.
Sido që të jetë, e sakta është të bëhet dallimi në mes këtyre dy formave dhe nëse jemi të sigurt se kemi mjekë që e aplikojnë këtë brenda kornizave të përcaktuara të mjekësisë, atëherë kjo lejohet. Allahu e di më së miri!
Më herët kemi bërë një temë të veçantë në lidhje me këtë çështje dhe jemi munduar të bëjmë trajtimin duke e vënë në pah këtë dallim.

Hipnoza nga këndvështrimi Islam

Alaudin Abazi