Pyetja:
A lejohet përdorimi i valvulave të zemrës së derrit për transplant tek njeriu?
***
Përgjigjja:
Fetvaja e përdorimit të valvulave të zemrës së derrit, për shërimin e disa sëmundjeve të zemrës tek njerëzit, kanë shkaktuar debate të gjëra në mesin e dijetarëve islam në Universitetin e Az’harit në Kajro dhe më gjërë. Dijetarët islam kanë debatuar përkitazi me rregullat të cilave duhet përmbajtur në rast të përdorimit të disa pjesëve të derrit për kurimin e njeriut.
Ish myftiu i Egjiptit, Ali Xhumua, është i mendimit se në raste kur e kërkon domosdoshmëria e mbrojtjes së shëndeti të njeriut, lejohet përdorimi i valvulave të zemrës së derrit të njeriu, nëse nuk ka mundësi tjetër që valvulat të zavëndësohen në ndonjë mënyrë tjetër të lejuar.
Dr. Muhamed Reëfet Othman, anëtar i Akademisë së Gjurmimeve Islame në Egjipt, fillimisht e konfirmon se në parim ndalohet përdorimi i derrit dhe pjesëve të tij për ushqim dhe pije, ndërkaq kur është në pyetje përdorimi i pjesëve të derrit për shërim, përgjigja në këtë pyetje dallon sipas nivelit të domosdoshmërisë së përdorimit të tyre. Ai thekson se: në rast se përdorimi i një organi apo pjese të derrit është zgjidhja e vetme e mbetjes së të sëmurit në jetë, apo e shërimit të sëmundjeve të caktuara, nga aspekti fetar lejohet që të bëhet shërimi i të sëmurit përmes kësaj pjese të derrit. Kjo do të thotë se nuk është mëkat përdorimi i pjesëve të derrit për shërim, nëse nuk ka mënyra tjera të shërimit përmes gjërave të lejuara, me kusht që organi në fjalë të shërohet, dhe të ndryshohet natyra e flliqtë e pjesës së derrit.
Dr. Amine Nesir, profesoreshë e Akaidit në Universitetin e Az’harit, nuk e sheh problematik përdorimin e pjesëve të derrit për çështje medicinale. Ajo sqaron se nuk ka fare dyshimi se Allahu i Madhërishëm e ka ndaluar ngrënien e mishit të derrit, por, përdorimi i disa pjesëve të derrit për transplant te njeriu, nuk është ngrënie e mishit të derrit. Për këtë, ajo mendon se është e lejuar përdorimi i pjesëve të derrit për shërimin e njeriut.
Shejh Muhamed AbdulAziz, ish kryetar i Komisionit për Fetva në Xhize, mendon se fetvaja për trasplantin e valvulave të derrit te njeriu, nuk është diçka e re, ngase më herët, shejh Atije Sakër, kryetar i mëparshëm i Komisionit për Fetva në Az’har, ka dhënë një fetva për lejimin e përdorimit të pankreasit të derrit për shërimin e njeriut, nisur nga fakti se diçka e tillë është domosdoshmëri-darure, e domosdoshmëritë i lejojnë gjërat e ndaluara. Shejh Atije Sakër mbështetet në argumentin se trupi i njeriut në brendi përmban gjërat të papastra, si:gjak, urinë, etj, e Allahu i pranon adhurimet tona, edhe pse në brendinë e trupit tonë i kemi këto gjëra të papastra. Poashtu, ai mbështetet edhe në argumentin se njeriut i lejohet të hajë mish derri, nëse nuk ka asgjë tjetër për ushqim. Mirëpo, kusht për këtë është që, përpos pjesëve të derrit, mos të ketë gjëra tjera të lejuara, përmes të cilave mund të bëhet shërimi i njeriut. Shejh Atije Sakër pohon se në rast se ka alternativa tjera, të cilat e zënë vendin e pjesëve dhe organeve të derrit, nuk lejohet në asnjë mënyrë që të përdoren për shërim organe të kafshëve të papastra.
Këshilli i Akademisë së Fikhut Islam ka marrë vendim se lejohet të meret një organ nga një kafshë të cilës i hahet mishi dhe e cila është therrur në çdo rast, si dhe nga kafshë tjera të cilave nuk u hahet mishi dhe nuk janë therrur, në raste të domosdoshme-darure, dhe të transplantohet në trupin e njeriut që është i detyruar domosdoshmërisht t’i bëhet një transplant i këtillë.
Është pyetur shejh Muhamed ibn Salih el-Uthejmin për këtë çështje, dhe është përgjigjur se kjo nuk paraqet problem dhe nuk është e ndaluar që njeriu të përdor për shërimine zemrës organe të kafshëve tjera, ngase kjo nuk është ngrënie. Allahu e ka ndaluar ngrënien e mishit të derrit, e përdorimi i organeve dhe pjesëve të derrit për shërim, nuk është ngrënie e mishit të tij. Kur e kemi parasyshë se ai nuk mund të gjejë mënyrë tjetër shërimi përpos të transplantit të organeve të derrit, atëherë kjo merr tretmanin e domosdoshmërisë-darure. Allahu i Madhërishëm ka thënë:”…e Ai (Allahu) ju sqaroi juve se çka është e ndaluar për ju, përveç kur jeni të detyruar…” (En’am: 119). [1]
Dr.Muhamed Sejjid Tantavi, ish Shejhu-l-Az’har, pohon se kjo çështje u kthehet mjekëve dhe ekspertëve të fushave përkatëse. Nëse mjekët kompetentë konstatojnë se nuk ka zgjidhje tjetër pos përdorimit të valvulave të derrit për njeriun, dhe se nuk ka alernativë tjetër pos kësaj, atëherë fetarisht lejohet përdorimi i këtyre valvulave. Ai për argument e merr ajetin:” (Allahu) Ua ndaloi juve vetëm të ngrodhtën, gjakun, mishin e derrit dhe atë që therret (ngritet zëri me te) jo në emër të Allahut.E kush shtrëgohet (të haje nga këto) duke mos pasur për qëllim shijën dhe duke mos tepruar, për të nuk është mëkat.Vërtet Allahu falë, është mëshirues” (Bekare: 173).
Shejh Xhemal Kutub, sekretar i Fetvave në Az’har, pohon se studiuesit duhet ta kenë parasyshë se njeriu është kalif i Allahut në tokë dhe më i dalluari i gjallesave tjera. Për atë, në trupin e tij duhet të depërtojë vetëm ajo që është e pastër. Ekspertët duhet të vazhdojnë me studime që të gjejnë alternativa tjera dhe të bëjnë eksperimente të vazhdueshme me gjallesa tjera nga bota e kafshëve, që të gjejnë kafshë tjetër më të mirë se derri.
Dr. Kemal ebu-l-Mexhd, mendimtar i madh islam, pohon se kur është në pyetje derri, është i ndaluar të hahet mishi i tij dhe të përdoret si ushqim, ndërkaq transplantimi i një pjese dhe organi të derrit te njeriu, nuk ka qenë objekt shqyrtimi te juristët islam më herët. Dr. Ebu-l-Mexhd thotë se ka një rregull tjetër juridik islam i cili e plotëson këtë çështje, gjegjësisht rregulli juridik islam është se:Gjërat e domosdoshme i lejojnë gjërat e ndaluara. Së këtejmi, nëse një mjek i besueshëm konstaton se jeta e pacientit mvaret nga përdorimi i një organi të këtillë, është e sigurtë se ajo që është e domosdoshme, e lejon atë që është e ndaluar.
Prej arabishtes: Bashkim Aliu
——————————
[1] Likau-l-babi-l-meftuh, 106, pyetja nr.2