Pyetja:

Fqinja ime është krishtere. Ajo dhe familja e saj më dhanë disa dhurata me rastin e krishtlindjeve dhe unë nuk munda t’i refuzoj, në mënyrë që të mos hidhëroheshin. A më takon t’i pranoj këto dhurata ashtu siç pranonte i Dërguari, lavdia dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, nga mosbesimtarët?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut.

Së pari: Në esencë lejohet pranimi i dhuratave nga mosbesimtari, për të zbutur zemrën e tij dhe për ta joshur në Islam, ashtu siç pranonte i Dërguari ﷺ nga disa mosbesimtarë si p.sh., dhuratën e Mukaukisit dhe tjera.

Buhariu në Sahihun e tij titulloi një kapitull “Pranimi i dhuratave nga idhujtarët” pastaj shkroi “Ebu Hurejra përcjell se i Dërguari kishte thënë: Ibrahimi, alejhi selam, emigroi te një fshat së bashku me Sarën. Në atë fshat ishte një mbret tiran i cili tha: jepjani Haxherin. Po ashtu edhe Muhamedit, ﷺ, iu dhurua një dele e cila kishte qenë e helmuar. Ebu Humejdi përcjell: Mbreti i Ajles i dhuroi të Dërguarit një mushkë të bardhë…”

Së dyti: është e lejuar për myslimanin t’i jep dhurata jomyslimanit apo idhujtarit me qëllim që t’ia zbus zemrën dhe ta josh në Islam, në veçanti nëse bëhet fjalë për ndonjë të afërm apo për fqinjin. Omeri, radijallahu anhu, i dhuroi vëllait të tij një gunë, në Meke. [1]

Mirëpo, nuk lejohet që t’i dhurohet diçka jomyslimanit në festat e tij, ngase kjo gjë konsiderohet pranim dhe pjesëmarrje në festat e tyre të kota. Nëse dhurata ju ndihmon në realizimin e festave të tyre siç është ushqimi, qirinjtë dhe të ngjashme, ndalesa bëhet edhe më e madhe, madje disa dijetarë e kanë klasifikuar këtë vepër si kufër. Zejleiju në “Tebjin elHakaik” (2/228) thotë: “dhurimi në emër të festave Nevruz dhe Mehrexhan, nuk lejohet.” D.m.th. dhuratat për këto festa janë haram madje kufër. Ebu Hafsi ka thënë: sikur ndonjëri të adhuronte Allahun pesëdhjetë vite pastaj ditën e Nevruzit,t’ju dhuronte disa idhujtarëve vezë, dëshiron të madhërojë këtë festë, ka bërë kufër dhe ka asgjësuar veprat e tij të mira. Autori i “Xhamiu Sagirit” shënon: “nëse ditën e Nevruzit i jep një dhuratë myslimanit, mirëpo nuk synon madhërimin e kësaj dite por thjeshtë si një adet që ka mbet mes njerëzve, nuk konsiderohet kufër, mirëpo nuk duhet ta bëjë këtë. Mund ta bëjë para ose pas kësaj feste, në mënyrë që të mos përngjasohet me jomyslimanët sepse i Dërguari ka thënë: “kush i përngjet një populli ai është prej tyre”. Kurse në “Xhamiul Esgar” shënohet: “nëse një person, ditën e Nevruzit blen diçka që zakonisht nuk e ka blerë ditëve tjera, nëse synon madhërimin e kësaj dite ashtu siç e madhërojnë idhujtarët, ka bërë kufër, mirëpo nëse ka synuar të ushqehet, të hajë apo pijë, nuk ka bërë kufër.”

Së treti: pranimi i dhuratave prej mosbesimtarit ditën e festës së tij, nuk prish punë dhe nuk konsiderohet pjesëmarrje e as pranim i atyre festave por merret si bamirësi, zbutje e zemrave (të mosbesimtarëve) dhe thirrja në Islam. Allahu i Madhëruar ka lejuar bamirësinë dhe drejtësinë me mosbesimtarin i cili nuk lufton myslimanët “Allahu nuk ju ndalon të bëni mirë dhe të mbani drejtësi me ata që nuk ju luftuan për shkak të fesë, e as nuk ju dëbuan prej shtëpive tuaja; Allahu i do ata që mbajnë drejtësinë.” (Mumtehine: 8)

Kjo bamirësi dhe drejtësi nuk nënkupton miqësinë dhe dashurinë ngase nuk lejohet dashuria ndaj mosbesimtarit as marrjen e tij për dashamirë siç ka thënë Allahu:
Nuk gjen popull që e beson Allahun dhe ditën e gjykimit, e ta dojë atë që e kundërshton Allahun dhe të dërguarin e Tij, edhe sikur të jenë ata (kundërshtarët) prindërit e tyre, ose fëmijët e tyre, ose vëllezërit e tyre, ose farefisi i tyre. Ata janë që në zemrat e tyre (Ai) ka skalitur besimin dhe e ka forcuar me shpirt nga ana e Tij dhe ata do t’i shpjerë në xhenete, nëpër të cilët rrjedhin lumenj. Aty janë, përgjithmonë. Allahu ua ka pëlqyer punën e tyre dhe ata janë të kënaqur me shpërblimin e Tij. Të tillët janë palë (grup, parti) e Allahut, ta dini pra, se ithtarët e Allahut janë ata të shpëtuarit.” (Muxhadele: 22)

Po ashtu thotë: “mos e zini mik armikun Tim dhe armikun tuaj, duke shprehur ndaj tyre dashuri, kur dihet se ata mohuan të vërtetën që u erdhi juve” (Mumtehine: 1)

O ju që besuat, mos i zini për miq të ngushtë të tjerët jashtë mesit tuaj, ata nuk pushojnë së vepruari në dëm tuajin, u dëshirojnë çka u mundon juve. Urrejtja kundër jush duket nga gojët e tyre, por ajo që fshehin në gjokset tyre është edhe më e madhe. Ne pra, ua kemi sqaruar faktet nëse ju i kuptoni.” (Ali Imran: 118)

Dhe mos anoni kah ata që bënë zullum, e për atë shkak t’ju kapë zjarri, sepse përveç Allahut nuk keni mbrojtës, e mbeteni të pa ndihmuar.” (Hud: 113)

O ju që besuat! Mos zini miq as jehuditë, e as të krishterët. Ata janë miq të njëri-tjetrit. E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre. Vërtet Allahu nuk vë në rrugë të drejtë popullin zullumqar.” (Maide: 51)

Ibn Tejmije thotë: “për sa i përket pranimit të dhuratave gjatë festave të tyre, cekëm më parë se Aliut i dhanë një dhuratë gjatë Nevruzit dhe e pranoi. Ibën Ebi Shejbe ka shënuar “se një grua pyeti Aishen: kemi mëndesha zjarrputiste dhe gjatë festave të tyre na japin dhurata, a mund t’i pranojmë? Tha: ajo që theret për festat e tyre mos e hani, por hani nga bimët e tyre.”

Ebu Berze kishte bashkëvendës të cilët i jepnin dhurata në Nevruz dhe Mehrexhan, ai ju thoshte familjes: hani nga pemët, tjerat mos i hani.

E gjithë kjo tregon se festat nuk pengojnë pranimin e dhuratave të tyre, porse është e njëjtë si gjatë festave si jashtë tyre, ngase me këtë nuk ju ndihmon në festimet e tyre…”

Pas kësaj, Allahu e mëshiroftë, sqaroi se therori i ithtarëve të librit edhe pse është i lejuar, nëse është ther për festat e tyre nuk lejohet të hahet por “lejohet të hahet nga ushqimi i ehli kitabit me anë të blerjes, dhurimit apo ndonjë mënyrë tjetër nëse nuk është ther për festën e tyre. Për sa i përket therorit të zjarputistëve, është e ditur te të gjithë se nuk lejohen…” (Iktidau siratilmustekim 1/251)

Për fund themi që është e lejuar të pranosh dhuratat e fqinjës tënde krishtere gjatë festave të tyre me kushte:

Një: dhurata të mos jetë mish i therur për festë

Dy: të mos jetë nga gjërat që ndihmojnë përngjasimin me ta në festat e tyre siç janë qirinjtë, vezët etj.

Tre: t’u sqarosh fëmijëve besimin e miqësisë dhe armiqësisë në Islam në mënyrë që të mos mbjellët në zemrat e tyre dashuria e këtyre festave dhe të mos lidhen me dhuruesin

Katër: qëllimi i kësaj dhurate të jetë zbutja dhe thirrja e tyre në Islam.

Në rast se dhurata nuk është e lejuar të pranohet, mirë është që refuzimi i saj të shoqërohet me një sqarim si p.sh. refuzojmë dhuratën sepse është therë për festën tuaj e për ne kjo nuk lejohet, apo se këto gjëra i pranojnë ata që marrin pjesë në festimet e tyre, kurse në nuk e kemi të lejuar të festojmë këto festa, ngase feja jonë e ndalon këtë sepse përmban një besim që është i ndaluar për ne dhe ngjashëm që paraqet një derë për thirrjen e tyre në Islam dhe sqarimin e rrezikut të mosbesimit në të cilin ndodhen ata.

Myslimani duhet të jetë krenar me fenë e tij, praktikues i dispozitave të saj, të mos lëshojë pe shkaku i turpit apo dëshirave të dikujt sepse Allahu është më meritori që të kemi turp prej Tij. Allahu e di më së miri!

islamqa.com

Përktheu: Agim Bekiri

——————————

[1] Buhariu 2619