Pyetja:

A lejohet shitblerja e qenve?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin ﷺ.

1- Nuk lejohet mbajtja e qenve (në shtëpi) dhe se ai që mban qen në shtëpi, çdo ditë i mangësohet një sasi e madhe prej veprave të mira të tija. Përpos në rast të qenit të gjuetisë, ruajtjes së bagëtisë dhe të mbjellave, atëherë lejohet.

2- Ndërsa sa i përket shitblerjes së qenve, kjo është haram, edhe nëse është prej qenve të cilët lejohet të mbahen.

Janë transmetuar nga i Dërguari i Allahut ﷺ shumë hadithe në kontekst të ndalimit të shitjes së qenve dhe këto hadithe i përfshijnë të gjitha qentë, të cilët lejohet të mbahen dhe ata të cilët nuk lejohet të mbahen, prej këtyre haditheve:

– Ebu Xhuhejfete, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: Ndaloi i Dërguari i Allahut ﷺ nga përfitimi i qenit.” [1]

Ebu Mesu’d el-Ensari, Allahu qoftë i kënaqur me të, përcjell se i Dërguari i Allahut ﷺ ka ndaluar nga përfitimi i qenit. [2]

– Abdullah ibn Abbasi, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “Ka ndaluar i Dërguari i Allahut ﷺ nga përfitimi i qenit, edhe nëse vjen (dikush) dhe ta lyp çmimin e qenit, mbushja dorën me dhe.” [3]

Neveviu shkruan: “Ndalesa e përfitimit (profitit) të qenit dhe të qenurit e tij prej përfitimeve më të shëmtuar dhe më të ndyrë, është argument për ndalimin e shitjes së qenit dhe se kjo shitblerje nuk është valide dhe përfitimi i saj nuk është i lejuar, pa marrë parasysh a është qeni i mësuar apo jo, a është prej qenve që lejohet të mbahen apo jo dhe këtë qëndrim e kanë shumica e dijetarëve, prej tyre janë Ebu Hurejra,Allahu qoftë i kënaqur me të, Hasen el-Basriu, Rebia, Euzai’, Hakimi, Hammadi, Shafiu, Ahmedi, Ebu Davudi, Ibn el-Mundhir dhe të tjerë. Ndërsa ka thënë Ebu Hanifja: Lejohet shitja e qenit në të cilin ka dobi dhe ai që e shfrytëzon medoemos ta paguaj vlerën e tij. Argumenti i shumicës (së dijetarëve) janë këto hadithe (të lartëpërmendur).” [4]

Ibn Kudame thotë: “Nuk ka mospajtim në medh’heb se shitblerja e qenit është jovalide, çfarëdo qeni qoftë.” [5]

3- Nëse ka njeriu nevojë për qen të gjuetisë apo për roje, mirëpo nuk gjen dikë i cili do t’ia jepte atë, atëherë i lejohet që ta blen qenin dhe mëkati bjen mbi atë që e shet, ngase ka shitur diçka që nuk i lejohet të shitet.

Ibn Hazmi shkruan: “Nuk lejohet shitblerja e qenit, as qenit për gjueti dhe as për roje të bagëtisë apo ndonjë lloj tjetër, mirëpo nëse ka nevojë të madhe për qen dhe nuk gjen dikë i cili do t’ia jep atë, atëherë i lejohet që ta blen. Atëherë kjo është  hallall për blerësin, por haram për shitësin…” [6]

Islamqa.info

Përktheu: Ali Ashani

————————

[1] Buhariu (1944)

[2] Buhariu (2083) dhe Muslimi (2930)

[3] Ebu Davudi

[4] Sherh Sahih el Muslim

[5] El Mugni

[6] Muhala (7/493)