Pyetja:

A lejohet ta mbajmë unazën që përdoret si tespi?

***

Përgjigjja:

Ka të njëjtin gjykim me tespijet. Disa njerëz mbajnë një unazë me të cilën numërojnë dhikrin që bëjnë, disa të tjerë mbajnë tespije. Këto gjëra e ekspozojnë veprën përpara syfaqësisë. Fute dorën tënde në xhep dhe bëj tesbih (subhanallah, elhamdulilah…) dhe askush nuk e merr vesh ç’po bën (veç Allahut, Ai për të cilin po e bën këtë vepër).

I Dërguari i Allahut ﷺ bënte tesbih me majat e gishtave të dorës së tij të djathtë. Prej gabimeve që veprojnë disa njerëz është se i bëjnë tesbihët me dorën e djathtë dhe të majtë.

Dhe ai i bekuar ﷺ thoshte: “Ato do të pyeten dhe do tu mundësohet të flasin.” Këta gishta do të pyeten Ditën e Gjykimit dhe do të flasin (do të tregojnë adhurimin që është bërë me to). Këta gishta do të flasin dhe do të dëshmojnë se ti bëje tesbih me to.

Prandaj ai që bën tesbih me unazë apo me tespije, kush do të dëshmojë për të Ditën e Gjykimit? Prandaj disa dijetarë, kanë përmendur unanimitetin që ekziston mes tyre se: të bërit e tesbihëve me majat e gishtave është më e dashur tek Allahu se ai që bëhet me tespije. Të gjitha hadithet që flasin për tespi dhe guraleca nuk saktësohen prej të Dërguarit të Allahut ﷺ. Prandaj i them atij që pyet për bërjen e dhikrit me këtë unazë: ‘Kjo vepër nuk është sipas udhëzimit të Profetit ﷺ.

Shejh Mesh’hur Hasen

Përktheu: Emin Bilali