Pyetja:

Në një vend ka rreth tridhjetë e pesë xhami në të cilat falet namazi i xhumasë dhe pas përfundimit të tij namazfalësit falin namazin e drekës. A është e lejuar kjo apo jo?

***

Përgjigjja:

Ajo që dihet nga feja (nga gjërat qe duhet t’i dijë çdo musliman) dhe nga dija sipas argumenteve është se Allahu në ditën e xhuma në kohën e drekës ka bërë detyrë vetëm një farz, namazin e xhumasë, për meshkujt që janë vendali (banorë vendas, jo-udhëtarë), të lirë (nuk janë robër ose të burgosur) dhe të përgjegjshëm (mendërisht, është në moshën e pjekurisë etj). Nëse muslimanët e kryejnë këtë namaz nuk ka për ta farz tjetër, as namaz dreke e asgjë tjetër.

Namazi i xhumasë është farzi në kohën e tij. Pejgamberi, shokët e tij, (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe paraardhësit tanë të mirë dhe të tjerët pas tyre nuk falnin farz tjetër pas namazit të xhumasë. Kjo që thatë ju është shpikur shumë shekuj pas tyre. Nuk ka asnjë dyshim që kjo është prej bidateve të shpikura për të cilat ka thënë Pejgamberi ﷺ: “Ruhuni nga shpikjet (në fë)! Çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është humbje.
Poashtu Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Kush shpik në fenë tonë diçka që nuk është prej saj, ajo i nuk i pranohet” [1]

Nuk ka asnjë dyshim që namazi i drekës pas xhumasë është shpikje të cilën nuk e bënte ai ﷺ dhe është e refuzuar. Kjo është bidat dhe devijim për të cilat na ka paralajmëruar Mustafaja ﷺ. Gjithashtu kanë folur dhe tërhequr vërejtje për këtë edhe dijetarët dhe prej tyre Shejh Xhemeluddijn El-Kasimij në librin e tij “Isleh el-mesexhid min el-bidea uel-aueid” dhe Shejh El-Muhammed Ahmed Abdus-Selem në librin e tij “Es-Sunen uel-Mubtedeat”.

Nëse dikush thotë: “E bëjmë këtë nga kujdesja dhe frika në saktësinë e namazit të xhumasë (se mos nuk na pranohet xhumaja)” atëherë përgjigjja për të është: “Origjina është se xhumaja është e rregullt dhe e saktë dhe namazi i drekës nuk është i detyrueshëm madje nuk është as i lejuar, në kohën e xhumasë, për ata që e kanë detyrë faljen e xhumasë (siç përmendëm më sipër për meshkujt që janë vendas, të lirë, të përgjegjshëm). Një përkujdesje e tillë është e ligjshme në Islam kur nuk e di sunetin dhe ke ndonjë pasiguri dhe dyshim ndërsa në rastin tonë nuk ka vend për dyshim sepse e dimë nga argumentet se i detyrueshëm është vetëm namazi i xhumasë dhe nuk lejohet tjetër në vend të tij e as i bashkangjitur me të me justifikimin se kështu sigurohemi për saktësinë e saj e as shpikje e diçkaje të re që Allahu nuk e ka ligjëruar.

Namazi i drekës në këtë kohë është në kundërshtim me argumentet fetare domosdoshmërisht të njohura (që duhet t’i dinë krejt populli musliman) dhe është detyrë lënia e kesaj vepre dhe paralajmërimi prej saj. Bërja e kësaj vepre nuk ka asnjë bazë madje është prej vesveseve të shejtanit të cilat ja dikton njerëzve që t’i largojë nga udhëzimi dhe t’i ligjërojë një fe që se ka shpallur Allahu, si ja zbukuron për shembull disave “sigurinë” ne abdes sa i torturon në abdesin e tyre e nuk mundet dot ta perfundojnë. Sa herë janë pranë përfundimit të abdesit i bën vesvese “nuk e ke të saktë abdesin se nuk bëre këtë e atë”. Po kështu edhe të tjeëve në namazin e tyre kur bëjnë tekbirin i bën vesvese se nuk e kanë bëre tekbirin e vazhdon me këto vesvese derisa njeriu bën tekbir pas tekbiri derisa i ikën rekati i parë ose këndimi ose pjesa më e madhe e rekatit. 

Kjo është prej kurtheve të shejtanit dhe prej kujdesjes së tij që t’ia çojë dëm veprat muslimanit dhe t’ia ngatërrojë fenë e tij. Lusim Allahun të na ruajëe ne dhe të gjithë muslimanëët nga kurthet dhe vesveset e shejtanit, me të vërtetë Allahu është Dëgjues dhe i Afërt! 

Thelbi: Namazi i drekës pas xhumasë është bidat, humbje dhe shpikje e një dispozite të cilën se ka shpallur Allahu. Është detyrë heqja dorë dhe ruajtja prej saj dhe paralajmërimi i tjerëve nga kjo gjë. Duhet të mjaftohemi me namazin e xhumasë ashtu siç vepronte Pejgamberi , shokët e tij dhe kushdo që i ndjeku ata në vepra të mira deri në ditët tona. Kjo është e vërteta në të cilën nuk ka pikë dyshimi. Ka thënë Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë): “Fundi i këtij ummet përmiresohet vetëm me atë që u përmirësua fillimi i tij”. Kështu kanë thënë edhe Imamët tjerë para dhe pas tij. 

Me Allahun është suksesi!

Shejh Abdul Aziz ibn Baz

Përktheu: Anis Agovi

——————————————

[1] Buhariu dhe Muslimi