Pyetja:

A bën të këndohen El Fatiha dhe suret e tjera pa abdes kur bëjmë ndonjë punë? D.m.th. jashtë namazit?

***

Përgjigjja:

Leximi i Kuranit është prej formave më të larta të dhikrit-përmendjes së Allahut të Madhërishëm, dhe besimtari çdo herë duhet të jetë në lidhje me Kuranin dhe ta lexojë me qëllim që të fitojë dituri, t’i zbutet zemra, dhe në të njejtën kohë ta përmend Allahun përmes leximit të librit të Tij.

Kur është në pyetje leximi i sureve të Kuranit, kjo mund të bëhet duke i lexuar prej Mus’hafi, apo duke i lexuar përmendsh, pra pa shiquar në Mus’haf.

Nëse lexohen suret prej Mus’hafi, atëherë personi duhet të jetë me abdes që ta prekë Mus’hafin.

Por, nëse lexohen suret përmendsh, pra jo prej Mus’hafi, atëherë nuk është e patjetërsueshme që personi të ketë abdes, gjegjësisht përmendësh mund t’i lexojë edhe pa abdes. Kjo do të thotë se mund t’i lexojë edhe nëse është duke bërë ndonji punë, si p.sh., vozitësit, apo çfarëdo pune tjetër qoftë. Bile, shumë më mirë është të lexohen sure të Kur’anit, se sa të folen fjalë tjera të parëndësishme, apo të lehet hapësirë që shejtani të ndërhyjë e ta nxisë njeriun të bëjë mëkate me gjuhë duke sharë, fyer, përgojuar, etj.

Mirëpo, edhe përskaj asaj se ka mundësi që të lexohet sureja el-Fatiha apo ndonjë sure tjetër përmendsh pa abdes, më mirë do të ishte sikur muslimani çdo herë të jetë me abdes, gjegjësisht vazhdimisht të marrë abdes, bile edhe kur shkon në punë, në udhëtim etj.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu