Pyetja:

A lejohet të këndojnë vajzat e rritura në dasëm ku ka vetëm gra dhe me def pa xhampare duke e pasur parasysh hadithin që kanë kënduar vetëm vajzat e vogla për festën e bajramit po edhe nëse këndojnë vajzat e rritura, a ka ndonjë të keqe, a është mëkat?

***

Përgjigjja:

Muzika dhe veglat muzikore janë të ndaluara në Islam, bazuar në hadithin e të Dërguarit të Allahut ﷺ ku ai ka thënë: “Nga populli im do të jenë disa njerëz që do e konsiderojnë të lejuar prostitucionin, mendafshin, alkoolin dhe veglat muzikore…”, [1] dhe në hadithe të shumta ku duket qartë se muzika dhe veglat muzikore është e ndaluar në Islam, me përjashtim të defit dhe daulles pa vegje apo piastra per vajzat e vogla dhe gratë, në dy raste: në dasëm dhe në ditë feste (bajrami).

Kurse në një rast të tretë ka mospajtim në mesin e dijetarëve, e ai është kur kthehet dikush me pozitë nga një udhëtim i largët. Transmeton Burejde (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe thotë: “I Dërguari i Allahut ﷺ doli në një prej luftërave te tij dhe kur u kthye, një vajzë e vogël e zezë erdhi tek ai dhe i tha: “O i Dërguari i Allahut! Unë isha zotuar që sikur Allahu të kthente shëndosh e mirë, do t’i bija defit para teje dhe të këndoja për ty.” Ai i tha: “Nëqoftëse je zotuar, atëherë bjeri defit, e nëse jo, atëherë mos i bjer!” Ajo filloi t’i binte defit dhe pas pak hyri Ebu Bekri, kurse ajo vazhdoi t’i binte. Pastaj hyri Aliu dhe ajo vazhdoi t’i binte. Pastaj hyri Uthmani dhe ajo vazhdoi t’i binte. Pastaj hyri Umeri, kurse ajo menjëherë e futi defin poshtë vetes dhe u ul lart tij. I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Me të vërtetë, edhe shejtani ka frikë prej teje, o Umer! Unë isha ulur këtu, dhe ajo i binte defit. Pastaj hyri dhe ajo vazhdoi t’i binte, pastaj hyri Aliu dhe ajo vazhdoi t’i binte, pastaj hyri Uthmani, e ajo vazhdoi t’i binte, kurse kur hyre ti, ajo e hodhi defin.” [2]

Nga ky hadith nxirren shumë gjykime që kanë të bëjnë me këngën, muzikën dhe veglat muzikore, si dhe rastet kur ato lejohen si dhe për cilët njerëz lejohen, mëgjithëse në shumicën e haditheve përmendet se kjo ka qenë e lejuar për vajzat e vogla, por në disa prej tyre janë përmendur edhe gratë, dhe dijetarët kanë rene dakord që kjo vlen edhe për gratë ashtu si dhe për vajzat e vogla, në rastet e përmendura më sipër.

Allahu e di më së miri.

————————————–

[1] Buhariu

[2] Tirmidhiu