Pyetja:
Nëse nuk mund ta zësh farzin e jacisë me imam, por i zë teravitë, a lejohet të lidhem në namaz të teravisë me nijet të farzit të jacisë?
***
Përgjigjja:
Me Emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshiruesit!
Po, lejohet të lidhemi në namaz pas imamit me nijet të një namazi farz, edhe nëse imami është duke falur një namaz tjetër, qoftë vullnetar, qoftë farz. P.sh. Lejohet që të lidhemi në namaz me nijet të namazit farz pas një personi i cili është duke falur 2 reqatet përshëndetëse të xhamisë (tehijetul mesxhid), qoftë ai në reqatin e parë apo të dytin, e posa ai të japë selam, ne ngrihemi në këmbë dhe vazhdojmë për vete reqatet e mbetura derisa të plotësohet namazi farz të cilin ne e kemi bërë nijet. Kësisoj, lejohet edhe falja e namazit të akshamit pas një imami që është duke e falur jacinë, apo namazit të drekës pas një imami i cili është duke falur ikindinë (nëse dreka të ka ikur për ndonjërën prej arsyeve të pranuara sheriatikisht), etj.
Argument për këtë kemi veprimin e njërit prej sahabëve të ndershëm, Muadhit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili, pasi falte namazin e jacisë me xhemat pas Pejgamberit ﷺ, kthehej tek populli i vet dhe ua falte atyre namazin si imam, edhe pse për vete e bënte nijet namazin vullnetar (ngase jacinë e kishte mbaruar). Këtë ia miratoi Pejgamberi ﷺ. E po ashtu kemi edhe rastin e dy sahabëve të cilët, teksa xhemati po falnin namazin farz, ata qëndruan ulur dhe nuk u falën. Kur Pejgamberi ﷺ i pyeti se pse vepruan kësisoj, ata i treguan se e kishin falur namazin farz në një xhami tjetër. Atëherë Pejgamberi ﷺ i urdhëroi që ata duhet të falen me xhemat edhe nëse janë falur më herët, e ky namaz për ta do të llogaritet namaz vullnetar.
Pra, edhe namazi i jacisë lejohet të falet pas imamit që është duke i falur teravitë, mirëpo, nëse shohim se nuk jemi të vetmit që na ikur jacia, pra nëse edhe dikush është me ne, atëherë më mirë është që të skajohemi me një apo më shumë persona të cilët po ashtu dëshirojnë ta falin jacinë dhe të falemi bashkë me ta, pastaj të kyçemi në namazin e taravive. Përndryshe, nëse shohim se jemi vetëm, atëherë lidhemi pas imamit, me nijet të namazit të jacisë.
Allahu e di më së miri!
Hekuran Helshani