Pyetja:

Më ka vdekur babai para ca vitesh në një aksident, sa herë që e vizitoj atë tek varri i tij qaj me zë, a lejohet të qaj tek varret, çfarë pasojash ka nëse qaj te varrezat?

***

Përgjigjja:

Së pari, të përmendim se është e lejuar të vizitohen varrezat me qëllim që të merret mësim nga vdekja dhe të bëhet lutje për të vdekurit. Kjo vizitë duhet të bëhet brenda kufijve të asaj që lejon Islami, e jo të bëhen veprime të cilat Islami nuk i donë. I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: ”Ua pata ndaluar që t’i vizitoni varrezat. Por, tash vizitoni, se ato ua kujtojnë vdekjen”. Pra, ku mundësi të vizitohen varrezat me këtë qëllim.

Qarja me zë te varrezat nuk është veprim i duhur dhe i qëlluar, ngase i vdekuri nuk ka asnjë dobi nga ajo që ti qan. I vdekuri pret dua nga i gjalli dhe lëvdata që i jepen atij, nëse ka kontribuar që të gjallët që ka lënë pas veti të jenë shembullorë dhe të përkushtuar në fe, ashtu që të luten për të. Nëse veprojmë ndryshe, i vdekuri jo vetëm që nuk donë të bëjmë diçka të tillë, por edhe kjo është mënyrë qortimi për të, nëse nuk ka kontribuar që të na tregojë rrugën të cilën duhet ta ndjekim.

Për çështjen e pasojave transmetohet një hadith në librat e hadithit ku qëndron: ”I vdekuri dënohet për disa të qara të të afërmve të tij për të”. [1]
Mirëpo, për këtë hadith duhen sqaruar disa gjëra, me qëllim që mos keqkuptohet.

Së pari, me qarjen këtu nuk është për qëllim lëshimi i lotëve, por vajtimi, renditja, bërja e veprimeve jo normale duke grisur tesha, dhe ngritja e zërit tej mase. Kjo, ngase vetë i Dërguari i Allahut ﷺ ka qarë duke lëshuar lotë pa zë për djalin e tij dhe gjatë varrimit të njërës nga bijat e tij, siç transmetohet prej Enesit r.a. [2]

Së dyti, dënimi nuk është këtu në çdo rast. Kjo, ngase Allahu i Madhërishëm ka thënë: “Dhe asnjë mbajtës i barrës, nuk do ta mbajë barrën e tjetërkujt.” [Fatir: 18]
Nëse thuhet se dënohet si do që të jetë, del se i vdekuri dënohet për veprimet e tjerëve, gjegjësisht të gjallëve. Kjo kërkon shpjegim të çështjes së dënimit. Nisur nga kjo, imam Buhariu kur e ka shënuar këtë hadith në Sahihun e tij, i ka vënë titull ku në mes tjerash thotë: ”Në qoftë se vajtimi ka qenë zakon i të vdekurit”. Pra, imam Buhariu jep shpjegim se i vdekuri dënohet nëse qajnë të gjallët, nëse ai e ka pasur zakon sa ka qenë gjallë ta bën këtë gjë, ashtu që tjerët e kanë mësuar këtë prej tij, dhe pastaj edhe ata veprojnë si ai.

Dijetarët tjerë kanë dhënë edhe shpjegime tjera. Kështu, një pjesë bukur e madhe e dijetarëve thonë se i vdekuri dënohet për qarjen me zë dhe vajtim, nëse ka porositur që kjo të bëhet për të pas vdekjes, siç ka qenë traditë në disa vende. E disa thonë se dënimi ndodh nëse ai nuk ka i ka ndaluar të afërmit e vet nga ky veprim.

Këto shpjegime flasin se hadithi duhet kuptuar drejtë, me qëllim që mos biem në kundërshtim me ajetin e përmendur, ngase i vdekuri nuk qanë, por të gjallët qajnë për të. Me fjalë tjera, tjerët bëjnë një veprim, ndërkaq ai dënohet. Kjo dikton nevojën e shpjegimit të kuptimit të dënimit të të vdekurit për qarjen e të gjallëse për të.

Ndërkaq, dijetari i shquar Ibn Tejmije ka një koment tjetër për hadithin. Sipas tij, hadithi duhet kuptuar ashtu si është. Por, ai mendon se me fjalën “juadhebu” (dënohet), nuk është për qëllim ndëshkimi, ngase fjala “adhab” është më e përgjithshme se fjala “ikab” (ndëshkim). I vdekuri përjeton “adhab” (dënim) në kuptim të dhimbjes që ndjen për të gjallët të cilët qajnë, e jo se ndëshkohet për këtë gjë.

Pra, nëse ti e donë prindin tënd, nuk duhet të qashë me zë apo të vajtosh, apo të bësh veprime tjera jo të zakonshme. Mund të qashë me lotë pa zë, edhe pse edhe kjo nuk të ndihmon. Më mirë është të lutesh për prindin tënd dhe gjithë muslimanët dhe të jeshë në rrugën e Allahut të Madhërishëm, që prindi të ketë lëvdata për fëmijën që e ka lënë, e jo të ketë dhimbje për devijimin dhe veprimet jo islame që i bëjnë pasardhësit e tij.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu

———————

[1] Buhariu

[2] Buhariu