Pyetja:

Jam duke punuar në një organizatë ndërkombëtare qe disa vite. Aty e kam fondin pensional që mblidhet çdo muaj. Në këtë fond ka një shumë të caktuar të interesit (kamatës) që shtohet çdo vit në llogarinë e pensionit. E di që është haram i madh t’i mbaj dhe se duhet hequr qafe posa t’i marrë ato para të pensionit. Më kanë thënë se ato para haram duhet të ipen për diçka hallall dhe jo të bashkohet harami me haram. Unë kam menduar që ato para t’ia jap një të afërmi që është mjaft i devotshëm, por që është duke u sprovuar me një gjendje të rëndë ekonomike, dhe që është futur në një borxh të cilin po ia kërkojnë urgjentisht dhe ai nuk ka nga t’i merr ato para. A bën unë të veproj si vijon: meqë paratë e pensionit nuk kam të drejtë t’i tërheq tani por pas disa muajsh kur do ta ndërprej punën ndërsa ai vëlla është në nevojë të madhe tani, a bën që atë shumë të interesit që unë e di sa është, t’i jap që tani dhe kurdo që unë i marr paratë e pensionit bashkë me atë shumë të interesit të mos e llogaris si interes (kamatë) dhe të mos ia jap askujt, përveç zekatit, pasi që shembull atë interes unë veçse e kam hequr qafesh paraprakisht.

***

Përgjigjja:

Motër e nderuar, pa u ndaluar shumë te puna juaj, pastaj te tema e kamatës pasi dispozitat e tyre duhet të jenë të pranuara që në fillim, dua të qasem drejtpërdrejt në materien e pyetjes suaj. Kur është fjala te marrja e kamatës prej bankave etj., për mjetet që muslimani i ka deponuar në të, e këtu mund të bëhet fjalë edhe për trustin pensional, dijetarët ndahen në dy mendime: të atillë që thonë se në asnjë mënyrë nuk bën të tërhiqen mjetet e përfituara nga kamata, edhe pse sistemi bankar vetvetiu të fut në këtë mënyrë të bashkëpunimit, për shkak se muslimani nuk i ka deponuar mjetet për të përfituar nga kamata pasi që e di se një gjë e tillë është haram dhe ndalohet rreptësisht, por i ka deponuar për t’i ruajtur ato mjete në vend më të sigurt. Andaj, thonë këta dijetarë, nuk lejohet të merret ajo që nuk të takon në bazë të mësimeve të Sheriatit. Dijetarë të tjerë ndajnë mendimin se bën të merren ato mjete të ardhura nga interesi, por nuk bën të shfrytëzohen për nevoja personale, ngase rruga e përfitimit të tyre është e pistë sipas Sheriatit dhe malli i pistë nuk lejohet të konsumohet. Por këta dijetarë mendojnë se bën të shfrytëzohen për nevoja publike të njerëzimit, si: rregullimi i ndonjë banjoje publike, shtrimi i ndonjë rruge, etj.
Ka disa dijetarë nga grupi i fundit, që lejojnë të jepen ato mjete edhe për nevoja bamirësie dhe humaniteti, por duke mos e konsideruar si sadaka dhe nuk duhet të llogaritet në shpërblim për një akt të tillë.Në rastin tuaj, nuk mund të themi se ju mund të jepni mjete në emër të kamatës të cilën keni për ta marrë. Përderisa atë ende nuk e keni në dispozicion, nuk lejohet të llogaritet në të dhe të shpenzohen mjete nga hallalli duke i shndërruar ato në para të kamatës, kurse vet kamatën ta shndërroni në mjete të fituara me djersë, duke ua ndryshuar vendet. Një gjë e tillë nuk lejohet assesi, sepse ajo kamatë për arsye të ndryshme mund t’ju kalojë pa e marrë, ndërsa mjetet e dhuruara qysh më parë, as nuk i keni dhënë sadaka e të fitoni sevape, as borxh e as nuk janë ato mjete të kamatës.
Kur ta merrni atë sasi të mjeteve të pista të kamatës, mund të pyetni se ku mund t’i destinoni, duke mos shpresuar në shpërblime nga Allahu si bamirësi, por si largim i atyre mjeteve nga banka kamatare dhe mundësia që të përfitojë dikush, e jo që tani t’ia gjeni vendin madje duke i huazuar vetes mjete të pagës së rregullt për kamatën që mund ta merrni e mund të mos e merrni për shkaqe të ndryshme.Nëse keni mundësi të ndihmoni si lëmoshë atë nevojtar, ndihmojeni që tani duke i falur mjete materiale, e nëse këtë nuk mund ta bëni, jepini atij borxh deri në një afat të caktuar, pasi ju poseduakat mjete që mund ta bëni një gjë të tillë. Dijeni se edhe huadhënia është bamirësi dhe shpërbleheni për atë nëse e bëni me nijet të pastër.
Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku