Pyetja:

Një i afërm më ka borxh dhe më ka thënë që një pjesë të parave do m’i jep nga kamata. A më lejohet t’i pranojë ato?

***

Përgjigjja:

Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit, Mëshiruesit!

S’ka dyshim se kamata është prej shtatë mëkateve shkatërruese, prej mëkateve të mëdha në Islam, mirëpo dallon çështja nëse vetë personi merr kamatë apo është pjesëmarrës në të në ndonjë formë, apo është prej atyre që dikush i jep një sasi të hollash apo pasurie që ai e ka fituar me kamatë. Sa i përket rastit të dytë, rastit tënd, e ke të lejuar që ato para t’i marrësh dhe për ty janë hallall, kurse personi që i ka fituar në atë mënyrë ka bërë mëkat të madh prej të cilit duhet të pendohet. Mirëpo ti, e sidomos në rastin tënd kur je i papunë dhe ke nevojë për para, atëherë këto para për ty janë hallall dhe nuk do të merresh në përgjegjësi për to. Megjithatë, nëse do të ishe i punësuar dhe në gjendje të mirë ekonomike, dhe nuk ke nevojë që tani për tani personi në fjalë të ta kthej borxhin, atëherë nëse e di që ai ka mundësi të t’i kthejë para të tjera e jo ato që i ka fituar nga faidet kamatore, atëherë bën edhe të pritet.

Imam Neveviu (Allahu e mëshiroftë!), në lidhje me situatën në fjalë thotë: “Kur ai t’i ketë dorëzuar – paratë nga pasuria haram – tek personi i varfër, për këtë të fundit nuk janë haram, përkundrazi janë hallall e të pastra.”
Për këtë kemi argument rastin e Berirës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila ishte një robëreshë të cilën Aishja, bashkëshortja e Pejgamberit ﷺ e kishte blerë dhe ajo i shërbente në shtëpi. Njëherë, kur ajo kishte sjellë ca mish të cilin asaj ia kishin dhënë si lëmoshë, dhe Pejgamberi deshi të hajë, Aishja i tregoi se ishte mish lëmoshe (sadaka) – e dihet mirëfilli se Pejgamberi nuk hante dhe nuk pranonte lëmoshë – atëherë, Pejgamberi ﷺ u përgjigj: “Për të ka qenë sadaka, kurse për ne është dhuratë.”
Po ashtu, sikur çdo pasuri të cilën dikush na jep, do të interesoheshim se prej nga e ka fituar, hallall apo haram, pothuajse nuk do të mbetej pasuri të cilën do të mund ta pranonim. Edhe Pejgamberi ﷺ zhvillonte tregti me hebrenjtë e Medinës dhe pranonte dhuratat e tyre, ndonëse nuk ishte i sigurt se ata e kishin fituar atë pasuri në mënyrë të lejuar. Allahu e di më së miri!

Hekuran Helshani

1 Koment

Comments are closed.