Pyetja:

Në qoftë se i dhurojmë një femre të pa mbuluar (ndonjë të afërme), ndonjë stoli si dhuratë për fejesë apo çka do qoftë dhe kuptohet se ajo e bart edhe në prani të meshkujve, a e kemi gjynah apo jo?

***

Përgjigjja:

Ju nuk keni kurrfarë përgjegjësie për mëkatet e motrës që ju i keni dhuruar ndonjë stoli. Prej natyrës së famrave është që ato kanë dëshirë stolinë, veshjen e mirë dhe një gjë të tillë ua ka lejuar Allahu, por të njëjtën kohë ka kërkuar nga to që t’i përmbahen parimeve islame kur është fjala te ekspozimi dhe shfaqja e bukurive të tyre para meshkujve.

Pra ju nuk keni mëkat për dhuratën tuaj që ajo në esencë e ka të lejuar ta vendosë, por jo para meshkujve të huaj. Pra ju nuk jeni shkaktare që ajo të mëkatojë, sepse e tilla do të vendoste stoli tjetër dhe prapë do të vepronte njëjtë. Allahu thotë: “Nëse ju e mohoni Atë, dijeni se Allahu është vërtet i pavarur prej jush. Megjithatë, Ai nuk është i kënaqur me mosmirënjohjen e robërve të Tij, por kënaqet me ju, nëse e falënderoni. Asnjë gjynahqar nuk do t’i mbartë gjynahet e tjetrit. Pastaj, do të ktheheni te Zoti juaj e Ai do t’ju njoftojë për atë që keni bërë, sepse Ai e di vërtet se ç’keni në zemrat tuaja.” (Zumer, 7)

Si dhe në ajetin tjetër thotë:
Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!” (El-Isra, 15)

Dhurata e juaj nuk konsiderohet shkaktari për mëkatin e motrës, por vet bindja dhe vendosmëria e saj.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku