Pyetja:

A lejohet veshja e fustanit të bardhë të nusërisë, apo duhet të mos jetë plotësisht e bardhë por të anojë nga ngjyra e qumështit apo ngjajshëm (para grave), si dhe a lejohet materiali i fustanit të nusërisë të përmbajë gurë vezullues (xixa)?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut të Lartësuar, përshëndetjet, lëvdatat të Dërguarit të Tij, Muhamedit ﷺ.

Sa i përket dasmës dhe të gjitha pjesëve të saja, gjithsesi edhe përgatitjes së nuses, feja islame nuk ka ndërhyrë shumë në to, madje të gjitha këto ua ka lënë njerëzve që ata t’i bëjnë sipas dokeve e zakoneve të tyre, me kusht që këto zakone të mos shkelin ndonjë dispozitë sheriatike.

Ndërsa sa i përket fustanit të nusërisë, nuk ka ndonjë pengesë sheriatike që ai të jetë i bardhë, i verdhë apo i kuq. Sikurse nuk ka ndalesë sheriatike që ky fustan të përmbajë xixa, nëse veshet vetëm para femrave.

Ndërsa nëse ai fustan veshet në prani edhe të burrave, atëhere ai duhet të jetë mbulues i tërë trupit të nuses, pos fytyrës dhe duarve, duhet të mos jetë i ngushtë deri në atë masë sa t’i kufizojë pjesët e trupit të nuses, ngjyra e tij nuk duhet të jetë e ndezur dhe të mos përmbajë zbukurime (xixa e të ngjashme).

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Dr. Rasim Haxha

Comments are closed.