Pyetja:

Në një hadith që transmetohet në lidhje me ramazanin thotë se: “Allahu për çdo ditë të ramazanit, me rastin e iftarit, liron njerëz prej Xhehennemi,…” nuk e kam të qartë këtë. A nënkuptojmë me këtë hadith se lirimi ka të bëj në varr apo në xhehenemin e vërtet?

***

Përgjigjja:

Në librat e hadithit shënohen disa hadithe të cilat flasin se muaji i Ramazanit është muaji i lirimit nga dënimi i zjarrit. Dhe kjo gjë është shumë e kuptueshme për këtë muaj, i cili është muaj i mëshirës dhe mirësisë, e prej mëshirës së Allahut në këtë muaj, në veçanti, është edhe lirimi i robërve prej zjarrit.

Këtu, me lirim prej zjarrit, sipas asaj që kanë sqaruar dijetarët, aludohet në të gjallët, gjegjësisht Allahu i Madhërishëm liron apo shpëton nga zjarri i Xhehenemit shumë nga robërit e Tij, të cilët ende nuk kanë vdekur. Kjo ndodh në këtë botë, por ka për qëllim botën tjetër, gjegjësisht ata që në këtë botë mbrohen nga dënimi me zjarr në botën tjetër. Normalisht, do të mbrohen nga zjarri i Xhehenemit në Ahiret, ndërkaq ai që do të mbrohet nga Xhehenemi në Ahiret, është e kuptueshme se është njeri i mirë, dhe insha Allah, do të mbrohet edhe nga dënimi në varr.

Lirimi i robërve të Allahut nga zjarri, në muajin e Ramazanit, ndodh me atë që Allahu ua fal mëkatet, ngase ata luten për falje më shumë se herave tjera në këtë muaj, ua pranon adhurimin, i mbron nga mëkatet të cilat janë shkak i dënimit. Ky premtim, për këtë përfitim të madh në muajin e Ramazanit, është nxitje për besimtarët që ta shfrytëzojnë sa më tepër këtë muaj duke bërë adhurim dhe punë të mira, që me këtë gjë, pas mëshirës së Allahut, ta fitojnë lirimin e tyre prej zjarrit të Xhehenemit në Ditën e Gjykimit, që Allahu i Lartmadhërishëm ua premton atyre nga mirësia e Tij, që në këtë botë.

Allahu e di më së miri.

Dr. Bashkim Aliu