Pyetja: Nëse pas një jave që kam përfunduar menstruacionet më vjen pak gjak ngjyrë kafe e çelur, pastaj pak gjak i kuq, pastaj sërish ngjyrë kafe e çelur dhe përsëri gjak – a llogaritet kjo si menstruacion?
Përgjigja:
Gjaku që shfaqet pas një jave nga përfundimi i menstruacioneve – a është cikël apo istihada?
Problemet që lidhen me menstruacionet ndryshojnë prej një gruaje në tjetrën, sepse secila e ka kohën e vet, periudhën e vet dhe ditët e veta të ciklit. Në raste të caktuara mund të paraqiten probleme, por prapëseprapë, secila grua ka një situatë të veçantë që ndryshon nga tjetra. Kjo do të thotë se pothuajse çdo rast duhet të trajtohet veç e veç.
Në rastin konkret të paraqitur në pyetje, gruaja sheh gjak ngjyrë kafe e çelur, pastaj pak gjak i kuq, pastaj sërish ngjyrë kafe e çelur dhe përsëri gjak.
Fillimisht, nëse gruaja ka cikël të rregullt prej 6 ose 7 ditësh dhe është e sigurt që cikli i saj ka përfunduar pa ndonjë çrregullim, atëherë gjaku që shfaqet pas një jave nuk është gjak i menstruacioneve. Ky gjak mund të jetë pasojë e ndonjë infeksioni ose problemi në mitër.
Në mjekësi përmenden disa shkaqe për gjakun që shfaqet 5 ose 6 ditë pas ciklit, si p.sh.:
- përdorimi i kokrrave (tabletave) për parandalimin e shtatzënisë,
- lëndimi i mureve të mitrës, qafës së mitrës ose kanalit vaginal,
- fillimi i periudhës së menopauzës,
- shtatzënia jashtë mitrës.
Megjithatë, përderisa gruaja e ka ciklin e rregullt dhe ditët e saj janë të rregullta, dhe pas ciklit i ndodh një gjakderdhje e tillë, kjo nuk është menstruacion, por gjak i çrregullt (istihada). Në këtë rast, gruaja:
- duhet të marrë abdes për çdo kohë të namazit,
- duhet të kujdeset që trupi dhe rrobat të mos përlyhen nga ky gjak,
- i lejohet të falë namazin,
- i lejohet marrëdhënia intime me burrin e saj,
- dhe i lejohet të agjërojë.
Nëse gruaja ka çrregullime të shpeshta në cikël – pra nuk është hera e parë që i ndodh kjo, por ndodh herë pas here, si p.sh. disa herë cikli zgjat 3-4 ditë, disa herë më shumë ose më pak, ndonjëherë në fillim të muajit e ndonjëherë në mes – atëherë vlerësimi bëhet sipas vetive të gjakut.
Nëse vetitë e gjakut janë si të ciklit (ngjyrë e errët, ka erë karakteristike të menstruacioneve, nuk mpikset), atëherë konsiderohet menstruacion, edhe nëse shfaqet pas një jave nga pastrimi.
Hoxhë Dr. Rasim Haxha




