Pyetje: E kam një pyetje për disa shprehje që dëgjohen shpesh kur vdes dikush i ri, psh thonë:
Iku shumë shpejt nga kjo botë, e kishte gjithë jetën para, iku para kohe…
Disa thonë, Zoti mbajtë dorën! (estagfirullah)
Ose kur ju ndodh ndonjë fatkeqësi: “Nuk i dalim dot Zotit para!” Estagfirullah
A përmbajnë shirk këto shprehje, apo janë vetëm mungesë respekti ndaj madhështisë së Allahut subhanehu ue teala?
Përgjigje:
Falenderimi i takon Allahut, Zotit të botërave.
Paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të Dërguarin e Tij.
▣– Së pari: Sa i përket pyetjes tuaj, është shumë e rëndësishme të kuptojmë se fjalët që themi lidhen ngushtë me besimin tonë, dhe gabime në të shprehur mund të çojnë, më e pakta, në mungesë respekti ndaj madhështisë së Allahut të Lartësuar, e në raste më të rënda, në devijime të thella të besimit, si mohim apo dyshim ndaj cilësive të Tij të përsosura.
●-Fjalët nuk janë vetëm një shprehje e mendimeve apo emocioneve, por shpesh janë pasqyrë e besimit të zemrës; edhe një fjalë që tingëllon e zakonshme mund të përmbajë mosrespekt ndaj Allahut ose të nënkuptojë diçka që bie në kundërshtim me Teuhidin.
●-Në Akiden Islame, vlerësimi i një fjale apo shprehjeje varet nga:
1- Kuptimi që ajo përmban: A bie në kundërshtim me cilësitë e Allahut, kaderin, apo bazat e besimit?
2- Qëllimi dhe bindja e personit: A u tha nga padituria dhe emocioni, apo me bindjen e gabuar që bie ndesh me Teuhidin?
Nëse dikush thotë një fjalë të papërshtatshme nën ndikimin e tronditjes apo dhimbjes, ai mund të jetë gabimtar dhe duhet të kërkojë falje (istigfar). Por nëse ajo fjalë reflekton një bindje të tij, atëherë problemi bëhet më serioz.
●- Profeti Muhamed ﷺ na këshillon që duhet të kemi kujdes në të folur dhe domosdoshmërinë për të mos përdorur fjalë të papërshtatshme:
“Një person mund të thotë një fjalë pa e menduar dhe për shkak të saj të hidhet në zjarr për një distancë më të largët sesa lindja dhe perëndimi.”
(Muttefekun alejhi)
▣- Së dyti: Le të analizojmë shprehjet e përmendura në pyetje dhe pasojat e këtyre shprehjeve:
▣- 1. “Iku shumë shpejt nga kjo botë, e kishte gjithë jetën para, iku para kohe…”
Këto shprehje, edhe pse duket si një reagim emocional ndaj humbjes së një të riu, nënkupton në mënyrë indirekte se ekziston një “padrejtësi” apo “mospërputhje” në caktimin (kaderin) e Allahut . Kjo është në kundërshtim me Teuhidin Rububije (njësimin e Allahut si Krijues dhe Rregullues i çdo gjëje). Kaderi është një nga shtyllat e besimit dhe si muslimanë besojmë se Allahu ka përcaktuar gjithçka. Në realitet, askush nuk ikën “para kohe,” sepse Allahu ka përcaktuar saktësisht kohën dhe mënyrën e vdekjes së çdo njeriu. Asgjë nuk ndodh para ose pas kohës së caktuar nga Allahu, për këtë Allahu thotë:
{فَإِذَا جَآءَ أَجَلُهُمْ لَا يَسْتَأْخِرُونَ سَاعَةًۭ ۖ وَلَا يَسْتَقْدِمُونَ}
“Kur t’u vijë koha e tyre (e vdekjes), nuk mund ta shtyjnë as për një moment e as ta shpejtojnë.” [El-Araf: 34]
●- Nëse këto shprehje thuhen pa vetëdije të plotë për pasojat, ose burojnë nga padituria dhe emocionet, jo nga mohimi i kaderit është gjynah i madh, por jo shirk.
●-Nëse dikush beson se Allahu ka bërë “gabim” në përcaktimin e kohës së vdekjes, ky është kufr (mohim i besimit) dhe dalje nga feja.
●- Këto shprehje duhen shmangur dhe të zëvendësohen me shprehje, që pasqyrojnë pranimin e kaderit, si p.sh.: “Allahu e mori në kohën e përcaktuar prej Tij, Allahu e mëshiroftë (nëse vdes besimtar musliman)”.
▣- 2. “Zoti mbajtë dorën!” (estagfirullah)
Kjo shprehje është shumë problematike dhe mund të përmbajë mungesë respekti të rëndë ndaj Allahut. Fjala “mbajtë dorën” nënkupton sikur Allahu mund të jetë i padrejtë, i pamëshirshëm, ose vepron në mënyrë të pamatur ose të paarsyeshme, gjë që bie ndesh me Teuhid Esma ue Sifat (njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij), sepse Allahu është absolutisht i Drejtë (El-Adl) dhe i Përsosur në çdo veprim. Allahu i Lartësuar thotë:
{وَمَا وَمَا رَبُّكَ بِظَلَّـٰمٍۢ لِّلْعَبِيدِ}
“E Zoti yt nuk i bën padrejtësi robërve të Tij.” [Fussilet: 46]
●- Nëse dikush e thotë me bindjen se Allahu ka bërë padrejtësi, kjo është kufër i madh që e nxjerr nga Islami.
●- Nëse një person e thotë nga padituria, nën ndikimin e emocioneve, ose në një moment dobësie, pa e besuar atë, nuk del nga feja, por është gjynah i madh që kërkon pendim dhe kërkim falje.
●- Një shprehje më e saktë mund të jetë: “Allahu ka caktuar atë që është më e mira për këtë rob, ne i besojmë urtësisë së Allahut dhe kërkojmë falje për dobësitë tona.”
▣- 3. “Nuk i dalim dot Zotit para!” (estagfirullah)
Kjo shprehje, nëse shqyrtohet nga kuptimi i drejtpërdrejtë, nënkupton që dikush mund të përpiqet t’i dalë Zotit para, por nuk mundet, gjë që është e pasaktë dhe e papranueshme. Kjo bie ndesh me Teuhid Rububije, sepse asnjë krijesë nuk ka mundësi apo fuqi t’i “dalë përpara” Allahut. Allahu është i Vetmi që kontrollon gjithçka dhe askush nuk mund të veprojë jashtë përcaktimit të Tij, siç thotë Allahu në Kuran:
{وَهُوَ ٱلْقَاهِرُ فَوْقَ عِبَادِهِۦ ۚ }
“Me të vërtetë, Ai është mbizotërues ndaj robërve të Tij.” [El-Enam: 18]
●- Nëse thuhet pa menduar thellë, kjo është mungesë respekti dhe përfshin padituri për cilësitë e Allahut, por nuk arrin në kufër.
●- Nëse besohet kjo shprehje, që përfshin dyshim në sovranitetin e Allahut, kjo gjë është kufr.
●- Duhet që të zëvendësohen me shprehje që pasqyrojnë dorëzimin ndaj Allahut, si: “Asgjë nuk ndodh pa urdhrin dhe dëshirën e Allahut, gjithçka është në dorën e Allahut, dhe ne i dorëzohemi urtësisë së Tij.”
▣- Së fundi: Këshilloj që të jemi të kujdesshëm dhe të përdorim fjalë që pasqyrojnë teuhidin dhe pranimin e kaderit. T’i mësojmë të tjerëve rëndësinë e fjalëve dhe pasojat e tyre. Dhe nëse dikush ka përdorur pa dashje shprehje të tilla, le të bëjë istigfar (të kërkojë falje) dhe të përpiqet të flasë me vetdije dhe përgjegjësi.
Allahu na ruajtë nga çdo fjalë apo veprim që është në kundërshtim me madhështinë e Tij dhe na bëftë prej atyre që e lartësojnë Allahun ashtu siç i takon!
Allahu e di më së miri!
Përgjigje nga Adelina Kuçana.