Pyetja:
A përmendet syri i tretë në Kuran? A mund njeriu ta ketë një sy të tretë nga Zoti që t’i tregojë njeriut për personat e tjerë, ose ta shërojë dikë përmes tij?
***
Përgjigjja:
Me Emrin e Allahut, Mëshirplotit, Mëshiruesit!
Kjo gjë për të cilën keni pyetur s’ka të bëjë fare me Islamin, rrjedhimisht, as nuk gjendet diçka e tillë në Kuran e as në thëniet, veprat dhe miratimet e Pejgamberit tonë të dashur, Muhamedit ﷺ.
Allahu është Ai i Cili, të Vetmit, i përkasin çelësat e të padukshmes, Ai i di të fshehtat, Ai është Shëruesi, dhe këtë kompetencë nuk ia ka dhuruar askujt prej krijesave të Veta. Zemrat dhe të fshehtat që dikush i mban në zemra i di vetëm Allahu, siç na ka treguar qartë në Librin Fisnik – Kuranin: “A e di çfarë ata fshehin e çfarë shfaqin haptas. Ai është i Dijshëm rreth asaj që ndodhet në gjokse.” (Surja Hud, 5)
Pastaj, të besosh diçka të tillë të nxjerr nga Islami. Allahu i Lartësuar është Krijuesi i tokës dhe gjithësisë, dhe çdo gjëje që ndodhet në to. Askush nuk i di të fshehtat përpos Atij. Për këtë arsye Allahu i Lartësuar, duke na sqaruar këtë gjë, ka thënë: “Allahu i ka çelësat e të gjitha fshehtësive dhe vetëm Ai i di ato. Ai di ç’ka në tokë dhe në det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai, dhe nuk ekziston asnjë kokërr në thellësitë e tokës, as e freskët as e thatë, e të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Levhi Mahfudh).” (En’am: 59) Allahu është Shëruesi i Vetëm, askush s’mund të shërojë përpos Tij. Nëse dikush mendon se ilaçet, me të gjitha llojet e tyre, vetvetiu e shërojnë sëmundjen, atëherë ai ka probleme të mëdha në besimin e Tij. Allahu i Gjithëdijshëm ka krijuar për çdo gjë shkaqe: Për ta larguar urinë, ka obliguar ngrënien e ushqimit, për të fituar pasuri, ka bërë obligim që njeriu të punojë, etj., ndërsa për t’u shëruar nga sëmundjet e ndryshme, ka bërë të lejuar përdorimin e ilaçeve, të cilat Vetë Allahu i ka krijuar, ashtu siç i ka krijuar edhe sëmundjet, për të shfaqur Mëshirën e Tij ndaj krijesave dhe për t’i sprovuar njerëzit se kush është falënderues e kush jo.
Gjërat si këto që i keni përmendur në pyetje, u përngjajnë pështjellimeve të magjistarëve apo njerëzve të devijuar që nuk dinë tjetër vetëm të shpikin trillime të ndryshme për t’i lajthitur njerëzit e për t’i frikësuar nga njëri-tjetri, porse vetëm Allahu duhet pasur frikë. Nuk guxojmë të frikësohemi se dikush mund të kuptojë ndjenjat tona, mendimet, dhe gjërat që i fshehim në zemrat tona, përveç Allahut. Nuk guxojmë të frikësohemi se do të na ndodh diçka për shkak të “syrit të tretë”, apo shikimit të shtrembër të dikujt, apo maces që trupon rrugën para nesh (pa kurrfarë faji), apo për shkak se dikush na është kërcënuar me gjëra të botës së padukshme. Pra, edhe njëherë, në kozmos nuk bie as gjethja nga pema pa lejen e Allahut Fuqiplotë, prandaj kush pretendon se di gjëra të padukshme, ai ose është falltar i fëlliqur, e që e kemi haram ta vizitojmë e të dëgjojmë qoftë edhe një fjalë prej tij, ose është gënjeshtar që pretendon se di të fshehtën, dhe përmes kësaj metode dëshiron të përfitojë materialisht nga njerëzit injorantë të cilët e kanë braktisur fenë e tyre dhe i besojnë çdo djalli prej njerëzve.
E lusim Allahun të na ruajë nga të këqijat e idhujtarisë dhe besëtytnive të kota, siç e lusim që të na shtojë diturinë e dobishme! S’do mend se Ai është i Vetmi i denjë për këtë gjë!
Lavdërimet e plota qofshin për Allahun! Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin mbi Muhamedin ﷺ, vulën e profetëve!
Hekuran Helshani
Pergjigje.net