Pyetja:

A prishet abdesi nga dalja e gjakut?

***

Përgjigjja:

Dijetarët kanë shfaqur mendime të ndryshme lidhur me këtë temë.

Dijetarët e medhhebit hanefi janë të mendimit se dalja e gjakut, qoftë në sasi të medha apo të vogla, e prish abdesin. Ndërsa dijetarët e medhhebit Shafi’i janë të mendimit se dalja e gjakut nuk e prish abdesin, sido që të jetë. Disa dijetarë të tjerë thonë se nëse dalja e gjakut behët në sasi të mëdha, ateherë abdesti prishet, përndryshe jo. Ne anojmë nga mendimi i dytë, d.m.th. se dalja e gjakut nuk e prish abdesin sido që të jetë, shumë apo pak.

Mendimin tonë e mbeshtesim në argumentet e mëposhtme:

1- Në esencë, njeriu nuk është i detyruar të kryej asnjë detyrë, derisa të vije një argument i saktë nga Kurani apo suneti i Pejgamberit ﷺ. Meqënëse nuk gjendet asnjë argument i saktë që e detyron muslimanin të marrë abdes sërish pas daljes së gjakut, atëherë themi se abdesi nuk prishet nga kjo gjë.

2- Transmetohet nga Xhabir ibën Abdullahi se Pejgamberi, ﷺ, caktoi dy djem të rinjë që të bënin roje pranë kampit të muslimanëve, ndërsa këta të fundit po pushonin pas një beteje të lodhshme. Dy shokët e Pejgamberit ﷺ ranë dakord me njëri-tjetrin që të ruanin me radhë. Kështu, njëri prej tyre u shtri për të fjetur, ndërsa tjetri vazhdoi të rrinte zgjuar. Pasi kaloi njëfare kohe, djali që po rrinte zgjuar filloi të falej. Në këtë kohë njëri prej idhujtarëve, i cili ishte vënë fshehurazi në ndjekje të muslimanëve, u afrua pranë vendit ku po qëndronin ata dy dhe qëlloi me shigjetë në këmbë djalin që po falej. Djali e hoqi shigjetën nga këmba, por nuk e ndërpreu namazin. Idhujtari e qëlloi edhe dy herë të tjera në të njëjtin vend, mirëpo djali përsëri nuk e ndërpreu namazin, por vazhdoi derisa i plotësoi të dy rekatet. Në këtë kohe u zgjua shoku tjetër, andaj idhujtari u largua me shpejtësi. Kur pa plagët e tjetrit, shoku u habit shumë dhe e pyeti se përse nuk e kishte ndërprerë namazin. I plagosuri ia ktheu: “Betohem në Atë në dorën e të Cilit është jeta ime, sikur të mos frikësohesha se mos po shpërdorja detyrën me të cilën na ka ngarkuar Pejgamberi, ﷺ, nuk do ta ndërprisja surën që po lexoja edhe sikur ta dija se do të vdisja”. [1] Ajo që na intereson neve në këtë histori është se djali nuk e ndërpreu namazin me gjithë gjakun që i dilte nga plagët e shkaktuara nga shigjetat. Kjo tregon se ai e dinte qe dalja e gjakut nuk e prish abdestin, përndryshe do ta kishte ndërprerë namazin menjëherë.

Pra, ky është një argument praktik që tregon se shoket e Pejgamberit, ﷺ, kishin mësuar nga ai se dalja e gjakut nuk e prish abdesin.

Ata që mendojnë se gjaku e prish abdestin e hedhin poshtë këtë mënyrë argumentimi, pasi sipas tyre ka mundësi që Pejgamberi, ﷺ, mund të mos e këtë marr vesh ndodhinë e dy shokëve të tij dhe si rrjedhojë hadithi i lartpërmendur renditet në radhën e haditheve meukuf (Kështu quhen thëniet e shokëve të Pejgamberit, ﷺ), andaj nuk vlen për t’u argumentuar.

Ne nuk jemi dakord me këtë gjë, pasi edhe nëse pranojmë se Pejgamberi, ﷺ, nuk ka ditur gjë për ngjarjen e dy shokëve të tij. Allahu i Madhëruar, është Ai që sheh dhe di çdo gjë, e me siguri nëse ajo që bëri djali do të ishte e gabuar, do t’i kishte zbritur shpallje Pejgamberit, ﷺ, për të sqaruar të vërtetën.

Gjithashtu, mendimi ynë përforcohet edhe nga një thënie e Hasen El-Basriut, i cili thotë: “Shokët e Pejgamberit ﷺ, vazhdonin të faleshin, pavarësisht nga plagët që kishin marrë.”

Shejh Albani, “Pyetje dhe Përgjigje”

—————————-

[1] Ebu Davudi