Pyetja:
Nëse nuk kam mundur të pastrohem pas marrëdhënieve intime para syfyrit, a bën të vazhdohet agjërimi xhunub?
***
Përgjigjja:
Nëse agjëruesi zgjohet nga gjumi në gjendje xhunubllëku, kjo nuk është pengesë për vazhdimin e agjërimit përderisa marrëdhëniet intime janë kryer para lindjes së agimit, pra para hyrjes së kohës së namazit të sabahut. Dëshmi për këtë kemi hadithin që transmeton Aishja r.a., e cila thotë: “Pejgamberin ﷺ e zinte mëngjesi në Ramazan në gjendje xhunubllëku (nga marrëdhëniet intime) dhe ai pastrohej duke e vazhduar agjërimin.” [1]
Mirëpo kur arrin koha e namazit të sabahut, atëherë obligohemi të lahemi ngase duhet të falim namazin e sabahut në kohën e vet pa vonesë.
Allahu e di më së miri.
Dr.Shefqet Krasniqi
—————-
[1] Buhariu, nr. 1926; Muslimi, nr. (1109) 75.