Pyetja:

Ai që i fal dyzet namaze në xhami të Pejgamberit ﷺ a i shënohet kjo si pastrim prej dyfytyrësisë?

***

Përgjigjja:

Falënderimi i takon Allahut …

Këtë hadith e transmeton imam Ahmedi me nr: 12.173 nga Enes b. Malik se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Ai që fal në xhaminë time dyzet namaze duke mos i kaluar asnjë namaz, i shënohet atij një pastrim prej zjarrit, shpëtim nga dënimi dhe pastrohet nga dyfytyrësia.” Ky hadith është i dobët. Shejh Albani e ka përmend në “Es Silsiletu Ed Daife” me nr: 364 dhe ka thënë: I dobët. Dhe e ka përmendur në librin e tij “Daifut Tergib” me nr: 755 dhe ka thënë: Munker. (Shumë i dobët).

Shejh Albani e ka përmendur në librin e tij “Mënyra e haxhit të Pejgamberit ﷺ” në fq. 185 se prej bidateve (risive) gjatë vizitës së Medinës Pejgamberike është: “Ngulmi i vizitorëve të Medines që të qëndrojnë në të një javë në mënyrë që të kenë mundësi të falin në xhaminë e Pejgamberit ﷺ dyzet namaze që të ju shënohet si pastrim prej dyfytyrësisë dhe pastrim nga zjarri.”

Shejh Ibn Bazi thotë:

“Ajo që është përhapur te njerëzit se vizitori qëndron në Medine tetë ditë gjersa të falë dyzet namaze kjo edhe pse është transmetuar në disa hadithe: “Ai që falë në të dyzet namaze i shënohet atij pastrim prej zjarrit dhe pastrim prej dyfytyrësisë.” Por ky hadith është i dobët te dijetarët dhe as nuk mund të mbështetemi e as të argumentohemi me të. Vizita nuk ka përkufizim të caktuar edhe nëse e viziton një orë apo dy, apo një ditë apo dy, apo më shumë se kaq bën.” [1]

Dhe mjafton në vend të këtij hadithi të dobët, hadithi të cilin e transmeton Trimidhiu me nr: 241 i cili flet për vlerën e kujdesit për zënien e tekbiretul ihramit me xhemat dhe të cilin e transmeton nga Enes b. Maliku i cili transmeton se Pejgamberi ﷺ ka thënë:

“Kush falet për Allahun dyzet ditë me xhemat duke e arritur tekbirin fillestar i shënohen dy pastrime: Njëri nga zjarrri e tjetri nga dyfytyrësia.” [2]

E vlera e përgatitur sipas këtij hadithi përgjithëson çdo xhami ku falen me xhemat, në çdo vend dhe nuk e specifikon me Xhaminë e Shenjtë (Qaben) apo Xhaminë Pejgamberike.

Duke u bazuar në këtë ai që kujdeset të falet dyzet ditë duke e arritur tekbirin fillestar me xhemat i shënohen dy pastrime: Një pastrim nga zjarri dhe një pastrim nga dyfytyrësia. Dhe qoftë kjo në ndonjë xhami të Medinës, të Mekës apo xhamitë e vendeve të tjera.

Allahu e di më së miri.

Muhamed Salih El-Munexhid

Përktheu: Driton Lekaj

——————————–

[1] Fetava Ibn Baz: 17/406.

[2]  Shejh Albani e konsideron të mirë në librin e tij “Sahih Et Tirmidhi” me nr: 200.