Amaneti i të vdekurit për vendvarrimin e tij

73. I nderuar hoxhë! Nëse i vdekuri lë amanet që të varroset në një vend të caktuar, a jemi të obliguar që ta çojmë amanetin e tij në vend?

Përgjigjja: Në parim themi se i vdekuri musliman duhet të varroset në vendin ku ka vdekur, në varrezat e muslimanëve, dhe se transportimi i kufomës së muslimanit në ndonjë vend tjetër pa ndonjë arsye të pranueshme nuk është i pëlqyeshëm aspak.

Në rastin kur i vdekuri lë amanet që të varroset në një vend të caktuar, nëse zbatimi i amanetit të tij është i mundshëm me lehtësi dhe nuk është i kushtueshëm, si f.v nëse në qytet ndodhen dy e më shumë varreza dhe ai lë amanet që të varroset në filan varrezë apo afër familjes së tij, apo afër filanit, e të ngjashme, atëherë amaneti i tij duhet të çohet në vend ngase është një kërkesë lehtësisht e realizueshme.

E, nëse zbatimi i amanetit për vendvarrimin e tij është i komplikuar, ku përveç harxhimeve materiale bëhen edhe shkelje të tjera, si qëndrimi i xhenazes me ditë apo me javë të tëra pa u varrosur, pastaj zakonisht kur kufomat transportohen nga shtetet evropiane, atyre iu nxirren organet e brendshme dhe në trupin e kufomës fusin materiale të tjera për mosprishjen e trupit, e shumë e shumë veprime të tjera që janë të kushtueshme dhe që nuk kanë kurrfarë dobie. Nëse i vdekuri ka kërkuar të varroset në shtëpinë e tij, ose në oborrin e tij, ose diku jashtë, por ndaras nga të tjerët, atëherë në raste të këtilla amaneti i të vdekurit nuk duhet të zbatohet, por ai varroset në atë vend ku ka vdekur, në varrezat e muslimanëve.

Allahu e di më së miri.

Dr.Shefqet Krasniqi