Aishja(Allahu qoftë i kënaqur prej saj) e pyeti profetin(Lëvdatat dhe bekimet e Allahut qofshin për të): O i dërguari i Allahut, Ibn Xhud’an ka qenë gjatë periudhës së injorancës paraislame që e mbante lidhjen me të afërmit dhe e ushqente të varfërin, a do t’i bëj kjo dobi?
Profeti tha: ” Nuk do t’i bëj dobi. Ai asnjëherë nuk tha: O Zot mi fal gabimet e mia ditën e llogarisë!” (Muslimi 214)
– Abdullah bin Xhud’an ka qenë nga paria e Kurejshëve dhe në kohën paraislame bënte shumë bamirësi. Në hadith, Aishja tregon që e pyeti profetin për ibn Xhud’anin, se nga veprat e mira që ai kishte bërë, a do të kishte dobi në botën tjetër, ndërkohë që ai nuk besonte te Allahu?
Profeti iu përgjigj se nuk i bënin dobi, sepse ai nuk besonte në Allahun e as në ditën e gjykimit, ngaqë kurrë nuk kishte thënë: O Zot mi fal gabimet ditën e llogarisë!. Kjo tregon, se ai po të pranonte islamin, veprat e mira që kishte bërë gjatë kohës që ishte mohues, do t’i bënin dobi. Gjithashtu, atij që vdes si mohues, asnjë vepër nuk i bën dobi në botën tjetër.

(Ed-Durer es-Senijjeh)
Hoxhë Altin Plumbi