Pyetja:
A prishet agjërimi nëse, pas syfyrit në gjumë, bëhem xhunub?
***
Përgjigjja:
Njeriu derisa është në gjendje gjumi nuk konsiderohet përgjegjës për veprimet e bëra, ngase lapsi është ngritur dhe nuk shënohen veprimet e atij që është në gjumë. Nga kjo kuptohet se agjëruesi nëse bëhet xhunub në gjumë gjatë ditës, agjërimi i tij është i vlefshëm, por ai obligohet të marrë gusël dhe nuk ka nevojë që ta kompensojë këtë ditë, ngase kjo ndodh pa dëshirën e tij, duke i përngjarë hyrjes së ndonjë gjëje në fyt përderisa është duke fjetur. Për këtë ka konsensus mes dijetarëve islamë. Allahu xh.sh., ka thënë:
“Allahu nuk e obligon (nuk e ngarkon) asnjë njeri përtej mundësisë së tij.”
(Bekare: 286)
Ka ardhur në hadith se Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Tri gjëra nuk e prishin agjërimin: të vjellat (tugu), dhënia gjak (hixhamja) dhe ejakulimi në gjumë.” [1]
Hadithi është i dobët, por megjithatë e forcon këtë kuptim.
Një akt i tillë është prej gjërave që i ka krijuar Allahu tek të dyja gjinitë.
Ummu Seleme transmeton se Ummu Sulejmi, gruaja e Ebu Talhas, ka ardhur te Pejgamberi ﷺ dhe i ka thënë: “O i Dërguari i Allahut, me të vërtetë Allahu nuk turpërohet nga e vërteta. Nëse femra në gjumë sheh ëndrra erotike, a obligohet me gusël?” Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Po, nëse e vëren ujin.”[2]
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
———————-
[1] Tirmidhiu, nr. 719; Ibn Huzejme, nr. 1978. Tirmidhiu e ka bërë të dobët, gjithashtu edhe Albani. Ibn Haxheri e ka cekur në Telhis el-Habir (15)-888, dhe ka cekur të gjitha rrugët e transmetimit të tij.
[2] Buhariu, nr. 282; Muslimi, nr. (313) 32.