Pyetja:
Kam dëgjuar se numri 666 është numri i djallit. A është kjo një besëtytni? Nëse po, çka nëse dikush i shmanget shkrimit të tij vetëm për shkak se ai ose ajo nuk dëshiron të imitojë jobesimtarët. Po ashtu, a ka ndonjë lutje apo dua që mund të thuhet si shlyerje për ndonjë besëtytni? Po nëse dikush shmang veprimet ose bën veprime për shkak të besimit të besëtytnive? Si mund të pendohet?
***
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut.
A është numri 666 numri i djallit (shejtanit)? Të besosh se ka ndonjë gjë të veçantë në numrin 666, veçanërisht në lidhje me dobinë ose dëmin, dhe të besosh se ai është numri i djallit ose i Dexhalit (antikrishtit) është një mit global që e ka origjinën tek njerëzit mosbesimtar, veçanërisht ata që pretendojnë se janë adhurues të djallit.
Prandaj nuk i lejohet muslimanit të besojë se ka ndonjë gjë të veçantë në këtë numër; përkundrazi është si të gjithë numrat e tjerë që tregon sasinë e gjërave. Ai që beson se ka ndonjë ndikim të veçantë ka rënë në atë që është haram duke imituar jobesimtarët dhe duke ndjekur mitet dhe besëtytnitë e tyre.
Transmetohet nga Ibn Umeri se I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush imiton një popull, ai është prej tyre”. [1]
Shejhul Islam Ibn Tejmije ka thënë: “Ky hadith tregon se është e ndaluar imitimi i tyre, edhe pse duket se tregon se ai që i imiton ata është jobesimtar, si në ajetin në të cilin Allahu thotë: “E kush prej jush i miqëson ata, ai është prej tyre.” (Maide, 51)
Kjo mund të kuptohet në atë kuptim se kushdo që i imiton ata në çdo gjë, kjo do të diktonte se ai është jobesimtar, dhe teksti tregon se është e ndaluar të imitohen ata në disa mënyra. Ose mund të interpretohet si kuptimi se qenia e tij si ata është në përpjesëtim me masën në të cilën ai i imiton ata, kështu që nëse ai i imiton ata në diçka që konsiderohet si mosbesim ose mëkat, ose në diçka që konsiderohet si unike për ata, atëherë vendimi do të jetë në përputhje me atë. Sido që të jetë, teksti tregon se imitimi i tyre është haram dhe arsyeja për këtë është thjesht imitimi.” [2]
Për të qenë ndryshe prej tyre, nuk duhet të besoni se ka ndonjë gjë të veçantë në këtë numër dhe nuk duhet t’i kushtoni vëmendje shkrimit të tij; përkundrazi duhet ta trajtoni atë si çdo numër tjetër. Sa i përket mosshkrimit fare, kjo nuk është e saktë, sepse shkrimi i numrave kur nevojiten është i lejuar, dhe ajo që është e lejuar dhe e nevojshme nuk mund të braktiset vetëm për shkak se disa njerëz kanë devijuar në lidhje me të. Përkundrazi, devijimi që lidhet me të duhet të injorohet.
Ikrame tha: “Ne ishim me Ibën Omerin dhe Ibn Abbasi ishte gjithashtu atje me ne. Një sorrë fluturoi pranë, duke kërcyer dhe një njeri tha: “Është një shenjë e mirë!” Ibn Abbasi tha: “Nuk është as e mirë as e keqe”.” [3]
Për shkak të këtij korrupsioni (korrupsionit që vjen nga futja e bidatit në zemrat e njerëzve) dijetarët ndaluan, me qëllim që të ndryshojnë nga jobesimtarët në festat e tyre, agjërimin e qëllimshëm në ditët e festave të tyre dhe privimin e vetes nga ushqimi i shijshëm në ditët të festave të tyre.
Ibn Kajjim ka thënë: “Nëse bëhet pyetja: ‘Çfarë thoni për agjërimin e ditëve të Nevruzit dhe Mahrejanit dhe festat e tjera të mushrikëve?‘ Përgjigjemi: “Shumë nga dijetarët e konsiderojnë atë si të papëlqyeshme (mekruh), dhe shumica e shoqëruesëve të imam Ahmedit ishin të mendimit se është e papëlqyeshme. Ata dhanë si arsye për këtë faktin se këto janë dy ditë që nderohen nga jobesimtarët, kështu që t’i veçosh ato për agjërim në vend të ditëve të tjera është si të shkosh bashkë me ta në nderimin e atyre dy ditëve. Prandaj është e papëlqyeshme, si agjërimi i një të shtune.” Autori i el-Mughni tha: ‘Për analogji, kjo vlen për çdo festë të jobesimtarëve ose çdo ditë që ata e veçojnë për nderim’.” [4]
Së dyti, pendimi nga besimi në besëtytni është i njëjtë sikurse pendimi për çdo mëkat tjetër, dhe bëhet duke iu shmangur, penduar për kryerjen e atij mëkati dhe duke vendosur që të mos ktheheni më tek ai.
Neveviu ka thënë: “Dijetarët thanë: “Pendimi nga çdo mëkat është i detyrueshëm. Nëse mëkati ka të bëjë me marrëdhëniet ndërmjet individit dhe Allahut, dhe nuk ka të bëjë me të drejtat e një njeriu tjetër, atëherë duhet të plotësohen tre kushte:
1. Ai duhet të heqë dorë nga mëkati;
2. Ai duhet të pendohet që e bëri këtë;
3. Ai duhet të vendosë që të mos kthehet më në të.
Nëse lihet njëra nga këto tre kushte, atëherë pendimi i tij nuk vlen.“[5]
Heqja dorë nga besëtytnitë arrihet duke besuar se dobia dhe dëmi janë vetëm në Dorën e Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë:
“Thuaj: “Në dorën e kujt është i tërë pushteti i çdo sendi, dhe Ai është që mbron (kë të do), e që prej Atij nuk mund të ketë të mbrojtur; nëse jeni që e dini?” Ata do të thonë: “Në dorë të All-llahut!” Thuaj: “E si mashtroheni pra?” (Muminun, 88-89)
“Thuaj: “Kush ju furnizon me ushqim nga qielli e toka, kush e ka në dorë të dëgjuarit e të pamët (tuaj), kush e nxjerr të gjallin nga i vdekuri e kush e nxjerr të vdekurin nga i gjalli, kush rregullon çdo çështje?” Ata do të thonë: “All-llahu”. Ti thuaj: “A nuk i frikësoheni?” (dënimit).” (Junus, 31)
Transmetohet se ‘Abdullah ibn ‘Amr ka thënë: “I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kushdo që e lejon tiarah (besimi paragjykues në shenjat e shpendëve) ta ndalojë atë nga të bërit diçka, është fajtor për shirk (duke i shoqëruar të tjerët me Allahun).” Ata thanë: “O i Dërguari i Allahut, cili është shlyerja për këtë?” Ai tha: “Të thuash: “Allahumma la khejre il-laa kejruka ue la tejra il-laa tejruka ue la ilahe gajruka.” (O Allah, nuk ka të mirë përveç të mirës Tënde, nuk ka zogj përveç zogjve të Tu dhe nuk ka Zot përveç Teje)”. [6]
Muslimani duhet të ketë parasysh gjithashtu faktin se këto bestytni janë të dëmshme për mendjen dhe intelektin e dikujt, dhe Islami erdhi për të mbrojtur intelektin dhe arsyen e njerëzve nga çdo gjë që mund t’i dëmtojë ata.
Shejh ‘Abd Er-Rahman Es-Sa’di ka thënë: “Islami bazohet në përsosjen e përkushtimit fetar të njerëzve duke hedhur poshtë idhujtarinë dhe lidhjen me qeniet e krijuara, dhe në përsosjen e arsyetimit të njerëzve duke hedhur poshtë mitet dhe besëtytnitë, dhe duke u fokusuar në çështjet e dobishme që ndihmojnë në rafinimin e të menduarit dhe pastrimin e shpirtit të dikujt dhe korrigjimin e të gjitha situatave, si shpirtërore ashtu edhe botërore. Dhe Allahu e di më së miri.” [7]
Dhe Allahu e di më së miri.
islamqa.info
—————————————————————————
[1] Transmetohet nga Ebu Daudi (4031); klasifikuar si sahih nga al-Albani në Irwa’ el-Ghaleel (5/109).
[2] Iktida’ es-iraat el-Mustakim (1/240-242).
[3] Transmetohet nga ed-Dejnuri në el-Mexhaalisah (3/297).
[4] Aashiyat Ibn el-Kajjim ma’a ‘Awn el-Ma’bud (7/52).
[5] Rijad Es-Salihin (fq. 14).
[6] Transmeton Imam Ahmedi në el-Musned (11/623); klasifikuar si hasen nga komentuesit e El Musnedit.
[7] El-Kaul es-Sadeed/el-Mexhmu’ah el-Kamilah li Mu’allafaat es-Sa’di (10/19).
Comments are closed.