Besimi në botën tjetër (Ahiretin), e cila njihet ndryshe si Bota e Përjetshme dhe Dita e Gjykimit, është njëra nga bazat dhe kushtet e imanit. Kush mohon ose përgënjeshtron Ahiretin dhe gjithçka që lidhet me Ditën e Gjykimit ka bërë kufër të madh dhe për pasojë nuk quhet besimtar, përveçse në rastet kur mohon ndonjë detaj në të, nga padija.

Besimi në Ditën e Gjykimit i jep kuptim sprovës së besimit në këtë botë dhe plotëson të gjitha kushtet e Imanit. Gjithashtu, besimi në Ditën e Gjykimit e bën njeriun të kuptojë më mirë qëllimin e jetës, duke e ndihmuar pozitivisht në përmirësimin e veprave të tij. Siç kemi përmendur më parë, krijesat nuk erdhën vetvetiu dhe pa qëllim. Njerëzit dhe xhindet, pasi të kalojnë sprovën e tyre në këtë botë, se kush do besojë e kush jo, do të ringjallen edhe një herë tjetër pas vdekjes në Ditën e Gjykimit, për të dhënë llogari për gjithçka që kanë vepruar. Allahu i Madhëruar në Kuran thotë: “Dhe ruajuni asaj Dite ku ju do të ktheheni tek Allahu, kur çdokujt do t’i jepet ajo që ka vepruar dhe askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi.” (El-Bekare, 281). Në një ajet tjetër Ai thotë: “Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit, dhe ajo është Ditë e dëshmuar.” (Hud, 103).

Hoxhë Mustafa Terniqi /  “Udhërrëfyei Islam”