Pyetja:

Jam një motër që e fali namazin rregullisht dhe kam një problem që më shqetëson shumë. Dikush ka thënë për mua se kam bërë imoralitet dhe aq mirë e ka thënë atë rrenë saqë të gjithë po mendojnë se unë jam një vajzë e pamoralshme. Më intereson të di se a mundet me qenë kjo si dobi për mua pasi që e di se kur dikush thotë diçka që s’është e vërtetë për dikë vetëm se ia merr gjynahet, apo mund të vij kjo si pasojë e mëkateve të mia. Mirëpo duke marrë parasysh se unë asnjëherë nuk kam pasur lidhje me ndonjë djalë qysh po kanë lidhje rinia e sotme, e lëre më të bëj imoralitet, para kësaj ngjarje të gjithë kanë menduar që jam shumë vajzë e sjellshme, ama tani të gjithë më shikojnë si një vajzë jo të mirë. Tash askush nuk mundet me marrë me mend që ma ka bërë dikush këtë. Nuk po di a e ka bërë këtë për inati apo veç hajt të bëj hajgare dhe është puna që as nuk e njoh atë person dhe nuk di as kujt t’i drejtohem. Ju kisha lutur nëse mund të më jepni pak sqarime rreth këtij problemi.

***

Përgjigjja:

Motër muslimane, është me rëndësi që ju realisht të jeni e pastër dhe e ndershme, kurse për fjalët e pavërteta dhe shpifëse të njerëzve nuk keni pse të brengoseni kur e dini pastërtinë e juaj. Është fakt i mirë që ju nuk keni kontakte dhe lidhje me djem të rinj të kurrfarë lloji pasi një gjë e tillë është haram. Gjithherë ka njerëz të këqij, që mundohen femrat e ndershme t’i njollosin në nderin dhe moralin e tyre. Kështu është sprovuar edhe nëna e besimtarëve, Aishja, Allahu qoftë i kënaqur me të, mirëpo Allahu e mbrojti ndershmërinë e saj në Kuran dhe mbeti e përmendur ngjarja e saj në Librin e Allahut, andaj nuk keni pse të bëheni merak ju ose dikush tjetër, e cila është femër e rëndomtë nëse njolloset nga ata që duan ta përhapin imoralitetin në mesin e muslimanëve. Allahu thotë: “Vërtet, ata që përgojojnë gratë e ndershme, zemërdëlira e besimtare, janë të mallkuar në këtë botë dhe në tjetrën; për ata ka dënim të madh. Atë Ditë që do të dëshmojnë kundër tyre gjuhët, duart dhe këmbët e tyre për çfarë kanë bërë, Allahu do t’ju shpaguajë dënimin e merituar dhe ata do ta marrin vesh se Allahu është e Vërteta e qartë.” (Nur, 2325)
Allahu po ashtu thotë: “Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. Allahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini..” (Nur, 19)
Për më shumë lexoji ajetet e Kuranit 11-18 në suren Nur.
Ju duhet të hiqni dorë nga rrugët e dyshimta, që mund të cenojnë ndershmërinë tuaj dhe mund të lënë dyshim në sytë e të tjerëve. Ju duhet të keni veshjen islame, sjelljet islame, ecjen islame, edukatën islame, duhet t’i respektoni parimet islame të jetesës, të komunikimit etj. I Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “Lë atë që të vë në dyshime dhe orientohu kah ajo që nuk të vë në dyshime.”
Me këtë rast dua të them, se krenohu me pastërtinë tënde (nëse je me Allahun e sinqertë) dhe mos ua vë veshin fjalëve të keqbërësve. Për ata do të kujdeset Allahu siç u pa nga ajetet e lartshënuara dhe në ajetin vijues ku Allahu tregon dënimin që ata e meritojnë dhe thotë:
Ata që i akuzojnë gratë e ndershme (për imoralitet), e pastaj nuk sjellin katër dëshmitarë, t’i rrihni me tetëdhjetë goditje dhe të mos ua pranoni më kurrë dëshminë; këta janë njerëz ngatërrestarë. Përjashtim bëjnë ata që, pas kësaj, pendohen dhe përmirësohen. Allahu është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (Nur, 45)
Kjo nuk do të thotë se ju duhet ta rrihni personin që shpifi, por atë dënim do t’ia jepte Sheriati aty ku funksionon. Kurse dëshmia këtyre njerëzve nuk u merret më përderisa nuk pendohen nga shpifja që bënë, duke sqaruar të vërtetën se nuk kishin as katër dëshmitarë, e as më të voglin argument që të akuzuan.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku