Pyetja:

Çfarë gjykimi merr ngritja e zërit brenda në xhami?

***

Përgjigjja:

Ngritja e zërit brenda xhamive konsiderohet prej veprave jo të pranueshme në legjislacionin islam. Është saktësuar në sahihun e Muslimit se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kini kujdes nga britmat si në tregje.”

Është për të ardhur keq se në disa xhami pas mbarimit të mësimit disa nxënës bien prehë e britmave, gjë e cila nuk është aspak e mirë, madje është shumë e kritikueshme, sepse shtëpitë e Zotit duhet të kenë shenjtëri të cilën duhet ta ruajmë.

Është saktësaur në librin El Mueta, se Omer bin Hatabi hyri një ditë në xhami dhe gjeti dy burra që bërtisnin me të madhe dhe deshi t’i godiste me shkopin e tij, por kur pa që ishin të huaj e jo nga Medina, i pyeti dhe ata i thanë: “Jemi nga Jemeni.” Ai (Omeri) u tha: “Nëse do ishit banorë të Medines do u kisha nxirë në dru.”

Nisur nga kjo mund të themi se goditja e atij që ngre zërin në xhami është traditë Omerije.Gjithashtu është saktësuar tek Muslimi se Profeti ﷺ kishte dalë për t’i njoftuar njerëzit në një formë që e tregonte bindshëm se kur ishte nata e Kadrit. Por ai dëgjoi zhurma në xhami dhe i njoftoi se Zoti e kishte bërë ta harronte datën preçize të natës së kadrit dhe jo siç thonë shijat se Allahu e largoi totalisht natën e kadrit.

Kjo ndodhi për shkak të zërave të lartë në xhami dhe si pasojë nuk zbret mëshira dhe privohen mirësi të shumta. Duhet të kujdesemi për xhaminë, të mos u bejmë zhurmë të tjerëve, sepse shumë njerëz namazet sunete i falin në xhami dhe jo në shtëpi, edhe pse kjo nuk është prej sunetit, por kjo nuk të lejon të ngresh zërin dhe ti bësh zhurmë tjetrit.

Ai nuk po praktikon sunetin, por ti mos praktiko haramin. Atëherë mos i bëj zhurmë vëllaut tënd, nëse ke diçka, dil dhe fol jashtë xhamisë dhe ruaje shenjtërinë e xhamisë.

Allahu më dhëntë mua dhe ju mirësi, largoftë prej nesh ligësine dhe na bëftë të udhëzuar dhe udhëzues.

Mesh’hur Hasen Al Selman.

Përktheu: Fatjon Isufi