Pyetja:

Çfarë grade ka ky hadith: “Kush falet për Allahun dyzet ditë me xhematë duke e zënë tekbirin fillestar, i shkruhen atij dy garanci: një garanci nga zjarri dhe një garanci nga hipokrizia (nifaku)” dhe cili është kuptimi i tij?

***

Përgjigjja:

Hadithi edhe pse ka disa probleme në zinxhirin e tij të transmetimit është saktësuar nga sheikh Albani në librin e tij Es-Silsile Es-Sahiha.

Ndërsa në lidhje me kuptimin e tij imam Et-Tibij komentuesi i njohur i haditheve (i vdekur në vitin 743 h.), thotë:

“Atë e ruan Allahu në dynja për të mos bërë punën e munafikëve dhe i jep sukses për të bërë punën e të sinqertëve. Ndërsa në ahiret e ruan prej dënimit të munafikëve apo dëshmon për të se nuk është prej tyre, sepse munafikët kur ngrihen për namaz ngrihen me përtaci dhe ky është ndryshe nga ata”.

Imam e Et-Tibij e lidh faktin që këtij njeriu Allahu i Madhëruar i jep garanci nga nifaku me çfarë është përmendur në Kuran prej cilësive të munafikëve për të cilët Ai thotë: “Dhe kur ngrihen për në namaz, ngrihen me përtaci.” (EnNisa: 142)
Dhe nuk vijnë për në namaz veçse me përtesë.” (EtTeube: 54)
Pra, duke qenë se munafikët nuk shkojnë për në namaz veçse me përtaci dhe nuk e falin atë veçse me përtaci, atëherë ai që ruan jo vetëm namazin por edhe me xhemat dhe për dyzet ditë pa i humbur as tekbiri fillestar nuk mund të jetë prej tyre. Munafiku edhe nëse për syefaqësi do të mundet ta ruaj imazhin e tij në disa namaze, nuk do ta bëjë dot atë në namazin e jacisë dhe të sabahut siç thotë Profeti ﷺ: “Nuk ka namaz më të rëndë për munafikun sesa namazi i jacisë dhe i sabahut.” [1]

Dr. Abdullah Nabolli

——————————–

[1] Buhariu dhe Muslimi