Pyetja:

“Ai person i cili nuk ka mundur të hyjë në xhenet, megjithëse në shtëpinë e tij ka njërin ose të dy prindërit e moshuar, le të zvarritet, le të zvarritet, le të zvarritet.” Kjo thënie profetike, çfarë kuptimi ka?

***

Përgjigjja:

Hadithin që ju e keni përmendur transmetohet në versione të ndryshme dhe nga imamë të ndryshëm, por kuptimi i tij mbetet i njëjti thuajse. Një version që është shumë i njohur precizon se i Dërguari i Allahut, ﷺ, përderisa po ngjitej në minber, kur hipi në shkallën e parë tha Amin. Ashtu veproi edhe në shkallën e dytë dhe të tretë. Disa versione thonë se ai vet, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të, ka treguar në hutbe se për ç’gjë kishte thënë tri herë amin. Në disa transmetime thuhet se pasi që ka zbritur poshtë nga minberi, dikush e kishte pyetur se përse tha amin me zë të lartë, ndërkohë që nuk ishte dëgjuar zë tjetër. I Dërguari i Allahut, ﷺ, u përgjigj: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: I poshtëruar qoftë ai njeri, i cili e arrin ramazanin dhe nuk arrin t’i falen mëkatet, dhe unë –thotë ai- thashë Amin! Pastaj më tha Xhibrili: I poshtëruar qoftë ai i cili i ka të gjallë dy prindërit apo njërin prej tyre dhe nuk arrin të hyjë në Xhennet! Unë thashë Amin! Pastaj Xhibrili më tha: I poshtëruar qoftë ai njeri i cili nuk dërgon salavat mbi mua kur unë përmendem, dhe unë thashë Amin!”

Në versionin e ngjashëm ma atë që ju keni përmendur është hadithi ku i Dërguari i Allahut, ﷺ, ka thënë: “U poshtëroftë, pastaj u poshtëroftë, pastaj u poshtëroftë! I thanë: Kush, o i dërguar i Allahut? Tha: “Kush i gjen prindërit e gjallë ose njërin prej tyre në pleqëri (dobësi) dhe nuk hyn në Xhennet!” [1]

Këto hadithe tregojnë shumë thekshëm rëndësinë e sjelljes së mirë ndaj prindërve, e sidomos kur ata janë në moshë të shtyrë dhe janë të lodhur. Shërbimi ndaj tyre në atë gjendje, përkujdesja financiare ndaj tyre, ndihma në kryerjen e nevojave të ndryshme të tyre etj. janë shkak për të hyrë në Xhennet. Pra, fëmijët muslimanë, që i përfillin obligimet ditore, javore dhe vjetore islame dhe janë të përpiktë në kryerjen edhe të detyrave ndaj prindërve, kanë shansin e madh që të hyjnë në Xhennet, pasi shërbimi i mirë ndaj prindërve e ka këtë shpërblim.

Nga kjo kuptohet se ekzistimi gjallë i prindërve ose i njërit prej tyre është shans i madh për të përfituar djali apo vajza, nëse ata i kryejnë detyrat ndaj prindërve. Ky shans nuk i është dhënë shumë fëmijëve pasi prindërit nuk i kanë gjallë edhe pse ata do të dëshironin ta arrinin faljen e Allahut dhe shpërblimin me Xhenet, po t’ia dinin vlerën mirësjelljes ndaj tyre. Mirëpo çfarë është puna me ata të cilët i kanë prindërit e gjallë, jetojnë me ta në pleqërinë e tyre dhe nuk arrijnë të falen?! Për këtë kategori është shprehur i Dërguari i Allahut, ﷺ, me fjalët “u poshtëroftë”, pasi i tilli ka një shans të madh para vetes, por nuk e shfrytëzon atë.

Këtë hadith dijetarët islamë zakonisht e përmendin në temat që kanë të bëjnë me mirësjelljen ndaj prindërve, pasi ky është qëllimi i hadithit e jo në kapitujt apo temat e lutjeve të dëmshme apo ato që kanë të bëjnë me shkaqet e mos-hyrjes në xhenet!

Thënë më ndryshe, bashkëjetesa me prindërit dhe sjellja adekuate me ta është një derë e hapur për ta fituar lehtë shpërblimin e Allahut me xhenet. Kush nuk e shfrytëzon këtë mundësi të lehtë për ta arritur atë shpërblim të madh, përveç mospërfitimit nga rasti, bie në rrezik të mallkimit të të Dërguarit ﷺ.

Allahu e di më së miri!

Muhamed Dërmaku

————————–

[1] Muslimi