Pyetja: Kam një hall, prindërit më kanë vdekur, por çdo natë i shoh në ëndërr dhe flas me ta. Kjo më ka filluar të më shqetësojë. A është kjo shenjë e mirë apo e keqe për ta? Çfarë mendoni ju?

Përgjigjja:
Ëndrrat ndahen në tri kategori:

  1. Ëndërr e mirë nga Allahu.
  2. Ëndërr e keqe nga shejtani.
  3. Ëndërr që vjen si rezultat i mendimeve dhe preokupimeve të tua gjatë ditës.

Kjo që përmend ti, si duket, vjen nga mendimi i tepërt për prindërit e tu. Nuk mund ta dish me siguri se në çfarë gjendje janë ata tani, përveçse nga e kaluara e tyre. Nëse ata kanë besuar në Allahun, janë falur, kanë agjëruar dhe kanë kryer obligimet islame, atëherë pa dyshim gjendja e tyre është e mirë, si në varr ashtu edhe në jetën e përtejme. Por nëse nuk i kanë kryer detyrat dhe obligimet që ua ka dhënë Allahu, ti mund të bësh për ta:

  1. Të lutesh për ta.
  2. Të japësh sadaka në emër të tyre.
  3. Të ndërtosh një xhami në emër të tyre.
  4. Të ndihmosh në botimin e një libri.
  5. Të shpërndash ndonjë ligjëratë të dobishme mes muslimanëve.
  6. Të ndihmosh në shkollimin e ndonjë studenti, etj.

Në përgjithësi, të bësh vepra të mira për shpirtin e prindërve të tu. Gjithashtu, është shumë e rëndësishme që ti vetë të bëhesh një besimtar i sinqertë dhe i devotshëm, duke zbatuar obligimet islame. Kjo është mënyra më e mirë për të ndihmuar prindërit e tu, sepse çdo vepër e mirë që bën ti në jetën tënde, ajo automatikisht do të shkojë edhe tek prindërit e tu.

Allahu e di më së miri.

Hoxhë Bekir Halimi