Pyetja:

Cilat janë dobitë nga shkuarja herët në xhuma?

***

Përgjigjja:

Transmetohet nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se: I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë: “Kush merr gusël (lahet) ditën e xhuma, gusël el-xhenabeh, pastaj shkon herët në xhami, konsiderohet sikur të ketë bërë kurban për Allahun një deve. Kush shkon në orën e dytë, konsiderohet sikur ka bërë kurban një lopë. Kush shkon në orën e tretë, konsiderohet të ketë bërë kurban një dash me brirë. Kush shkon në orën e katërt, konsiderohet sikur ka bërë kurban një pulë dhe kush shkon në orën e pestë, konsiderohet sikur ka dhënë një kokërr vezë. Kur del imami (dhe fillon hutben), vijnë engjëjt dhe dëgjojnë hutben.” [1]

Kuptimi i fjalëve: “gusël el-xhenabeh” d.m.th. si forma e larjes nga xhunubllëku.

Dobitë që përfitohen:
1. Prej cilësive të besimtarëve që Allahu i do është nxitimi për në veprat e mira. Allahu i Madhëruar thotë: “Shpejtoni drejt faljes nga Zoti juaj dhe Xhenetit, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka, i përgatitur për të devotshmit.” (Ali Imran: 133)

I Madhëruari thotë: “Prandaj rrekuni me njëri-tjetrin, duke kërkuar falje prej Zotit tuaj dhe një kopsht të gjerë sa qielli dhe Toka, që është e përgatitur për ata që i kanë besuar Allahut dhe të dërguarve të Tij. Ajo është mirësia e Allahut, që Ai ia jep kujt të dojë; e Allahu ka mirësi të pafund.” (Hadid: 21)

Dhe prej shpejtimit drejt të mirës është dhe shpjetimi për të prezantuar në namazin e xhumasë, siç përmendet në këtë hadith.

2. Vlera e larjes ditën e xhuma njësoj si larja nga xhunubllëku. E ajo është larja e plotë ku së pari personi merr abdes ashtu siç merr për faljen e namazit, pastaj lan kokën tri herë dhe pastaj lan të gjithë trupin e tij.

3. Disa dijetarë fjalën e Profetit ﷺ: “gusël el-xhenabeh” e kanë komentuar se personi duhet të lahet për shkak të xhunubllëkut. Pra, e shohin të pëlqyeshme që ai të kryej marrëdhënie intime me bashkëshorten e tij para se të shkojë për në xhami ditën e xhuma.

4. Dijetarët janë në kundërshtim se kur është fillimi i orëve që përmenden në hadith. Disa prej tyre thonë se fillon pas faljes së namazit të sabahut. Prej tyre ka që thonë se fillon pas lindjes së diellit, sepse koha para lindjes së diellit është koha për namazin e sabahut. Prandaj njeriu le të përgatitet për xhumanë me marrjen e gusulit (larjen), veshjen e rrobave (të bukura) dhe të parfumoset.

5. Sa më herët të shkoj muslimani për namazin e xhumasë aq më i madhe është shpërblimi i tij. Prandaj kërkohet nga ai që kur të futet në xhami të fali namaz sa i është caktuar atij, pastaj të merrte me leximin e Kuranit, ose përmendjen e Allahut, ose të bëj lutje, ose t’i kërkojë falje Allahut (duke vazhduar kështu) derisa imami të futet në xhami.

6. Nuk është ligjësuar për imamin që të vij herët në xhami. Por ai duhet të vij në xhami kur të futet koha (për të mbajtur hutben).

Shejh Ali bin Jahja el-Hadadij

Përktheu: Unejs Sheme

———————————

[1] Buhariu dhe Muslimi