Llojet e njerëzve sa i përket përkujtimit të vdekjes
Vdekja është një, por njerëzit në përkujtimin e tyre rreth vdekjes nuk janë të njëjtë; ata mund t’i ndajmë në tre lloje.
Lloji i parë janë ata që janë të zhytur në dynja, që nuk duan ta kujtojnë fare vdekjen, madje edhe kur e kujtojnë, e kujtojnë me keqardhje dhe dëshpërim.
Lloji i dytë janë të penduarit, që e përkujtojnë vdekjen për t’i ndihmuar gjatë pendimit nga frika se mos po i zë vdekja në atë gjendje. Përkujtimi i vdekjes ua lëkund zemrat, ua ringjall frikën në zemra, e më pas pendohen më lehtë dhe kthehen në rrugën e drejtë.
Lloji i tretë janë ata që e njohin vdekjen, nuk i ikin asaj dhe e kujtojnë pandërprerë sepse e dinë që pas vdekjes do të takojnë të Dashurin e tyre, Allahun e Madhëruar, për të cilin kanë jetuar dhe punuar gjatë tërë jetës. Për ta vdekja është largim nga kjo botë e mbushur me lodhje e mundime, me telashe e mërzi, për të shkuar në një botë tjetër tek i Dashuri i tyre, Zotëria i tyre, Krijuesi i tyre, për të cilin kanë jetuar dhe aq shumë janë përmalluar. Zoti i tyre, i Buti, për ta ka përgatitur gjërat më të mira dhe vendqëndrim të mrekullueshëm. Ata e dinë se kjo dynja pa ekzistimin e botës tjetër nuk ka kuptim, ashtu siç e dinë se për ta takuar Allahun, të Dashurin e tyre, duhet të vdesin e më pas të dalin para Tij, ndaj për ta vdekja është si një lloj “dasme”, është një lloj dhurate e mirësie nga i Madhi Zot xh.sh.. Ata nuk i ikin vdekjes, nuk i frikësohen asaj, por mezi presin të vijë çasti e ta shohin së pari melekun e vdekjes, i cili ua merr shpirtrat me fytyrë të buzëqeshur, duke i përgëzuar, i cili është i dërguar i Allahut xh.sh., për ta takuar më pas edhe vetë Lartmadhërinë e Tij subhanehu ve teala.
Ata e dinë shumë mirë se vdekja është e vetmja gjë që përgjithmonë ua thyen qafën zullumqarëve, ua humb shpresat dhe ua prish planet shumë mbretërve, sundimtarëve dhe pushtetarëve. E dinë se vdekja për zullumqarët është fillim i dënimit dhe vuajtjeve, ndërsa për njerëzit e mirë fillim i kënaqësisë dhe shijimit të begative që Zoti ka përgatitur për ta.
Ata e dinë shumë mirë se vdekja e nxjerr njeriun nga kjo botë, ia rrënon të gjitha punët dhe planet, e ndan nga të dashurit dhe të afërmit e tij. Vdekja i lë fëmijët pa prind, burrin pa grua dhe gruan pa burrë, pasurinë pa pronar, shokun pa shok, vdekja shkreton çdo gjë, ndaj përkujtimi i saj është me shumë rëndësi dhe të punuarit për të dhe për atë që vjen pas saj ka edhe më shumë rëndësi. Ata punojnë për çastin e vdekjes dhe për atë çfarë ka pas saj, përgatiten për të ashtu që kurdo që u vjen, mirë se të vijë!
Kurse ata që janë zhytur thellë në kënaqësitë e dynjasë e kujtojnë shumë pak vdekjen, madje edhe kur e kujtojnë, e kujtojnë me keqardhje dhe urrejtje të madhe, duke u munduar t’i ikin me çdo kusht. Por ku të ikin? Për të tillët Allahu i Madhëruar ka thënë:
“Thuaj: ‘S’ka dyshim se vdekja prej së cilës po ikni, ka për t’ju zënë, e mandej do të silleni tek Ai që e di të padukshmen dhe të dukshmen, dhe atëherë Ai do t’ju njoftojë me atë që keni punuar.'”
(El-Xhumuah: 8)
Nga do t’i ikësh vdekjes?! Si do të shpëtosh prej saj?! Jo, një milion herë jo, nuk mund t’i ikë askush – ajo ka për t’i zënë të gjithë!
Hoxhë Dr. Shefqet Krasniqi




