Pyetja:

Cili është dhikri i preferuar në Ramazan?

***

Përgjigjja:

Falënderimet i takojnë Allahut, paqja dhe bekimet e Tij qofshim mbi të dërguarin e Tij Muhamedin ﷺ , mbi familjen, shokët dhe të gjithë ata që ndjekin rrugën e tij deri në Ditën e Gjykimit.

Rreth Ramazanit dhe asaj se çfarë preferohet të bëhet këtyre ditëve ekzistojnë shumë tema qoftë nëpër faqe të internetit apo edhe në libra, prandaj mund t’u kthehesh atyre, por me këtë rast do të japim një përgjigje të shkurtër si lloj i përkujtimit.

Nuk ka ndonjë lutje të posaçme që bëhet gjatë Ramazanit, por dhikri më i preferuar gjatë këtij muaji është leximi i Kuranit, pasi kjo ka qenë praktika e selefëve (të parëve tanë). Prandaj ju këshilloj që të shpeshtoni atë, nëse nuk dini lexim, atëherë menjëherë filloni mësimin e shkronjave, te hoxha apo ndonjëri që ka mundësi që ti mësoj. Ndoshta në fillim kjo të duket e vështirë apo edhe e pamundur, por të jesh i bindur se nëse ke seriozitet dhe bën punë, ato do t’i mësosh në më pak se dy javë. Mos hezito në këtë, nëse dëshiron të arrish qetësi në zemër dhe ngritje të imanit (besimit).

Gjithashtu, gjatë Ramazanit mund të shpeshtosh lutjet e përgjithshme ndaj Allahut, mos harro lutjet e mbrëmjes dhe mëngjesit, lutjen e agjëruesit kur bën iftar dhe e lutjet tjera që do të mund t`i gjesh në librin “Mburoja e muslimanit”.

Allahu e di më së miri.

Alaudin Abazi