Mrekullia më e madhe e Profetit Muhamed -alejhi selam-.

Profeti Muhamed -alejhi selam- ka thënë:
“Nuk ka pasur prej profetëve ndonjë profet veçse i është dhënë prej mrekullive me qëllim që të besojnë njerëzit. Ndërsa ajo që mu dha mua ishte shpallje të cilën ma shpalli Allahu dhe shpresoj të jem më me shumë ndjekës ditën e Kiametit”
E transmeton Buhariu dhe Muslimi.

Ky hadith përmban pesë dobi:

E para: Profetëve u jepen mrekulli me qëllim që njerëzit të dinë se ata janë të dërguarit e Zotit.

E dyta: Mrekullitë e profetëve herë janë mrekulli materiale të kapshme nëpërmjet shqisës së të parit dhe herë mrekulli udhëzimesh të kapshme nëpërmjet logjikës.

E treta: Kurani është mrekullia kryesore me të cilën është dërguar profeti Muhamed alejhi selam sepse ai ka pas edhe mrekulli të tjera gjatë jetës së tij si: Israja dhe Miraxhi, çarja e Hënës, njoftime për të ardhmen, bekimi i ushqimeve, shërimi i të sëmurëve, komunikimi me sende e kafshë etj.

E katërta: Kurani është mrekulli udhëzimesh i cili i flet mendjes dhe zemrës dhe kjo e bën atë mrekulli të përjetshme, sepse libri mbetet mes njerëzve ndryshe nga mrekullitë materiale të profetëve para tij të cilat nuk mbesin dhe largohen me largimin e tyre.

E pesta: Kurani për shkak se është mrekulli e vazhdueshme do ta bëjë profetin Muhamed -alejhi selam- më me shumë ndjekës se çdo profet tjetër ditën e Kiametit.

Dr. Abdullah Nabolli