Ju kuptoj plotësisht pse pyesni për këtë gjë, ngase në vendet tona në Ballkan, pasi të lexohet Kurani, bëhen dua në xhami, dhe tregohet se kemi dua hatme.
Në këtë përgjigje nuk do të diskutoj për atë se a bën apo jo të bëhet një gjë e këtillë, ngase vlefshmëria e këtij veprimi nga disa është kontestuar, e nga disa tjerë është përmbajtur, marrë parasyshë se disa transmetime flasin se disa nga sahabet kur e kanë mbaruar Kuranin së lexuari, e kanë tubuar familjen dhe janë lutur që Allahu t’ua pranojë leximin e Kuranit. Por, unë do të flas konkretisht për pyetjen që ju e keni parashtruar.
Nuk ka dua të veçantë që duhet të lexohet pas mbarimit të leximit të Kuranit. Ajo që duhet të bëhet, e që nga pyetja shihet se ju e bëni, është lutja-duaja e përgjitshme që Allahu t’ua pranojë leximin e Kuranit dhe t’ua falë lëshimet dhe gabimet e paqëllimta që keni mundur t’i bëni gjatë leximit. Këtë lutje apo dua, mund ta bëni në gjuhën që ju e flisni, dhe nuk është patjetër të bëhet në arabisht. Para kësaj duaje nuk ka diçka të veçantë që duhet të lexohet, ngase ju keni lexuar Kuran, dhe nuk ka diçka mbi Kuranin, pos që ka diçka të veçantë nga vetë Kurani që duhet të lexohet me këtë rast.
E gjithë ajo që ju duhet të bëni është të luteni në gjuhën tuaj që Allahu t’jua pranojë leximin e Kuranit dhe t’jua falë gabimet dhe lëshimet e mundshme. Këtë mudn ta bëni edhe vetë, nuk ka nevojë të angazhoni dikë që tjerët të luten për ju.
Allahu e di më së miri.
Dr. Bashkim Aliu