Pyetja: Kam një pyetje pak specifike. P.sh., jam mjeke. Në qoftë se në vendin e punës jam duke falur farzin, por vjen një rast urgjent dhe nuk ka mjek tjetër në turn, a lejohet të shkëputem prej namazit?

Përgjigja: Në parim, kur një person hyn në namaz, nuk lejohet që ta ndërpresë atë pa arsye. Por, nëse e ndërpret për një domosdoshmëri, si shpëtimi i një jete nga dëmtimi apo humbja, ose për të ruajtur pasurinë që rrezikon të humbasë, kjo është e lejuar. Madje, në disa raste mund të jetë detyrim, si për të ndihmuar dikë në nevojë urgjente, për të shpëtuar një person që po mbytet ose për të shuar një zjarr, ose për të shpëtuar një fëmijë ose të verbër që rrezikon të bjerë në pus ose zjarr.

Në veprën “Kashaf el-Kina” thuhet: “Është detyrim shpëtimi i një jobesimtari të mbrojtur me marrëveshje, paqe apo siguri nga një pus ose diçka e ngjashme, siç është rasti i një gjarpri që synon ta sulmojë, njësoj siç është detyrim të shpëtohet një mysliman për shkak të mbrojtjes që gëzon. Po ashtu, është detyrim të shpëtohet një i mbytur ose në situata të ngjashme, si një zjarr, prandaj namazi ndërpritet për këtë, qoftë farz apo nafile. Në dukje, kjo vlen edhe nëse koha e namazit është e ngushtë, sepse mund të kompensohet me faljen e tij më vonë, ndryshe nga i mbyturi ose situata të ngjashme që nuk mund të vonohen. Nëse ai refuzon ta ndërpresë namazin për të shpëtuar të mbyturin ose në raste të ngjashme, ai do të mëkatojë, por namazi i tij do të jetë i vlefshëm.”
/Hoxhë Gazmir Sahara/