Pyetja:
A i lejohet gruas me menstruacione të lahet dhe t’i presë thonjtë?
***
Përgjigjja:
Femra kur është me menstruacione apo lehoni lejohet të bëjë të gjitha veprimet e zakonshme sikurse gjatë kohës kur nuk ka menstruacione, përveç disa veprimeve për të cilat kanë ardhur argumente që i ndalojnë. Veprimet e ndaluara për femrat që janë me menstruacione ose lehoni janë:
- Kontakti intim. Allahu xh.sh., thotë:
“Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie seksuale) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” (Bekare: 222)
2. Falja e namazit dhe agjërimi. Aishja r.a. ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit ﷺ kur kishim gjakrrjedhje (menstruacione ose lehoni), urdhëroheshim t’i kompensonim ditët e agjërimit, kurse nuk urdhëroheshim t’i kompensonim namazet (e pafalura).” [1]
Kjo do të thotë se ato nuk falnin namaz gjatë ciklit mujor.
3. Prekja e Kuranit. Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Nuk lejohet prekja e Kuranit përveçse në gjendje pastërtie.” [2]
Sa i përket leximit të Kur’anit përmendësh apo pa e prekur me dorë, shumica e dijetarëve e ndalojnë me arsyetimin se gjendja e menstruacioneve dhe e lehonisë ka dispozitën e xhunubllëkut (papastërtisë), ngase për të dyja rastet obligohet gusli. Këtë mendim e mbështesin në hadithin që transmeton Ali bin Ebi Talibi, se “i Dërguari i Allahut ﷺ na mësonte Kuranin dhe nuk e pengonte nga Kur’ani asgjë përveç xhenabetit (papastërtisë).” [3]
Nga kjo ndalesë përjashtohet situata kur janë të detyruara, si p.sh., mësuesja gjatë mësimdhënies së Kuranit në shkollë apo nxënësja gjatë provimit, etj.. Për to kanë thënë dijetarët se ato e lexojnë Kuranin pa e prekur fare me dorë, ose e prekin Kuranin me doreza, apo me skajin e shamisë dhe kur e lexojnë, e lexojnë fjalë për fjalë.
4. Tavafi. Argument për këtë është thënia e Pejgamberit ﷺ për Aishen r.a., së cilës gjatë kryerjes së haxhit i erdhën menstruacionet e ai i tha: “Vepro çdo gjë që bën haxhiu, përveç mos e bëj tavafin derisa të pastrohesh.” [4]
5. Qëndrimi në xhami. Argument për këtë është hadithi që transmeton Ummu Atijjeh, se Pejgamberi ﷺ i ka urdhëruar gratë të dalin në vendfaljen e Bajramit, ndërsa “i ka urdhëruar ato që janë me menstruacione që të largohen nga vendfalja e muslimanëve.” [5]
E përderisa ka urdhëruar që të mos qëndrojnë në vendfaljen e Bajramit, edhe pse është jashtë xhamisë, por e ka dispozitën e xhamisë, atëherë gjithsesi nuk lejohet qëndrimi edhe në xhami.
Nga kjo që u tha kuptojmë se femrës me menstruacione apo lehoni i lejohet të bëjë të gjitha veprimet e tjera, si: lutja, përmendja e Allahut, larja, prerja e thonjve, pastrimi i shtëpisë, gatimi i ushqimit dhe të gjitha veprimet e tjera që bëjnë femrat në jetën e tyre të përditshme.
Allahu e di më së miri.
Dr. Shefqet Krasniqi
———————————
[1] Buhariu, nr. 321; Muslimi, nr. (335) 69.
[2] Maliku në “Muvetta”, nr. 468, Albani ka thënë: “Hadithi është i vërtetë”. Shih: Irvau el-Galil, nr. 122.
[3] Tirmidhiu, nr. 146 dhe ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.
[4] Buhariu, nr. 305.
[5] Buhariu, nr. 324; Muslimi, nr. (890) 10.