Çka i ndalohet gruas me menstruacione

30. I nderuar hoxhë! A i lejohet gruas me menstruacione të lahet dhe t’i presë thonjtë?

Përgjigjja: Femra kur është me menstruacione apo lehoni lejohet të bëjë të gjitha veprimet e zakonshme sikurse gjatë kohës kur nuk ka menstruacione, përveç disa veprimeve për të cilat kanë ardhur argumente që i ndalojnë. Veprimet e ndaluara për femrat që janë me menstruacione ose lehoni janë:

1.Kontakti intim. Allahu xh.sh. thotë:

“Të pyesin ty për menstruacionin (hajdin). Thuaj: “Ajo është gjendje e neveritur, andaj largohuni prej grave gjatë menstruacionit dhe mos iu afroni atyre (për marrëdhënie seksuale) derisa të pastrohen. E kur të pastrohen, atëherë afrohuni atyre ashtu siç u ka lejuar Allahu. Allahu i do ata që pendohen dhe ata që ruhen prej punëve të ndyta e të neveritshme.” (Bekare: 222)

2.Falja e namazit dhe agjërimi. Aishja r.a. ka thënë: “Në kohën e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] kur kishim gjakrrjedhje (menstruacione ose lehoni), urdhëroheshim t’i kompensonim ditët e agjërimit, kurse nuk urdhëroheshim t’i kompensonim namazet (e pafalura).”[1]

Kjo do të thotë se ato nuk falnin namaz gjatë ciklit mujor.

3.Prekja e Kur’anit. Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] ka thënë: “Nuk lejohet prekja e Kur’anit përveçse në gjendje pastërtie.”[2]

Sa i përket leximit të Kur’anit përmendësh apo pa e prekur me dorë, shumica e dijetarëve e ndalojnë me arsyetimin se gjendja e menstruacioneve dhe e lehonisë ka dispozitën e xhunubllëkut (papastërtisë), ngase për të dyja rastet obligohet gusli. Këtë mendim e mbështesin në hadithin që  transmeton Ali bin Ebi Talibi, se “i Dërguari i Allahut na mësonte Kur’anin dhe nuk e pengonte nga Kur’ani asgjë përveç xhenabetit (papastërtisë).”[3]

Nga kjo ndalesë përjashtohet situata kur janë të detyruara, si p.sh. mësuesja gjatë mësimdhënies së Kur’anit në shkollë apo nxënësja gjatë provimit, etj.. Për to kanë thënë ulemaja se ato e lexojnë Kur’anin pa e prekur fare me dorë, ose e prekin Kur’anin me doreza, apo me skajin e shamisë dhe kur e lexojnë, e lexojnë fjalë për fjalë.

4.Tavafi. Argument për këtë është thënia e Pejgamberit [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] për Aishen r.a., së cilës gjatë kryerjes së haxhit i erdhën menstruacionet e ai i tha: “Vepro çdo gjë që bën haxhiu, përveç mos e bëj tavafin derisa të pastrohesh.”[4]

5.Qëndrimi në xhami. Argument për këtë është hadithi që transmeton Ummu Atijjeh, se Pejgamberi [sal-lAllahu alejhi ve sel-lem] i ka urdhëruar gratë të dalin në vendfaljen e Bajramit, ndërsa “i ka urdhëruar ato që janë me menstruacione që të largohen nga vendfalja e muslimanëve”[5].

E  përderisa ka urdhëruar që të mos qëndrojnë në vendfaljen e Bajramit, edhe pse është jashtë xhamisë, por e ka dispozitën e xhamisë, atëherë gjithsesi nuk lejohet qëndrimi edhe në xhami.

Nga kjo që u tha kuptojmë se femrës me menstruacione apo lehoni i lejohet të bëjë të gjitha veprimet e tjera, si: lutja, përmendja e Allahut, larja, prerja e thonjve, pastrimi i shtëpisë, gatimi i ushqimit dhe të gjitha veprimet e tjera që bëjnë femrat në jetën e tyre të përditshme.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

————————————————————

[1] Buhariu, nr. 321; Muslimi, nr. (335) 69.

[2] Maliku në Muvetta, nr. 468, Albani ka thënë: “Hadithi është i vërtetë”. Shih: Irvau el-Galil, nr. 122.

[3] Tirmidhiu, nr. 146 dhe ka thënë: “Hadithi është hasen sahih”.

[4] Buhariu, nr. 305.

[5] Buhariu, nr. 324; Muslimi, nr. (890) 10.