PENDIMI I FSHIN TË KALUARAT
Dikush mund të thotë:
Dëshiroj të pendohem, por çfarë më garanton faljen e Allahut nëse pendohem?
Unë dëshiroj të ndjek rrugën e sigurtë, por më ndërhyn ndjenja e dyshimit. Sikur ta dija se Allahu m’i fal gjynahet, do të pendohesha!
I them atij:
Atë që ti ndien në shpirtin tënd e kanë ndier në shpirtrat e tyre edhe të tjerë para teje, sahabët e Resulull-llahut alejhi selam.
Sikur të ndalesh pak e të mendosh për këto dy rastet vijuese, hamendja ka për t’u larguar nga shpirti yt, me lejen e Allahut.
Rasti i parë: Amër ibën Asi
Imam Muslimi (rahimehull-llah) na përcjell rastin e pranimit të Islamit nga Amër ibën Asi, i cili thotë:
“Kur Allahu e dashuroi Islamin në zemrën time, i shkova Pejgamberit alejhi selam dhe i thashë:
“Zgjate të djathtën, se dua të ta jap besën.”
E zgjati të djathtën e unë i tërhoqa duart e mia. Atëherë më tha: “Ç’ke, o Amër?”
I thashë: “Desha të shtroj disa kushte.”
Ai më tha: “Çfarë kushtesh?”
I thashë: “Të më falen gabimet!”
Ai ma ktheu:
“A nuk e di, o Amër, se Islami i fshin të kaluarat, edhe hixhreti i fshin të kaluarat, por edhe haxhi i fshin të kaluarat?”
(Transmeton Muslimi)
Rasti i dytë: Mushrikët që kërkuan falje
Imam Muslimi transmeton nga Ibni Abbasi (radijAllahu anhuma) se disa njerëz nga mushrikët kanë bërë vrasje, saqë e kanë tepruar, gjithashtu kanë bërë zina, saqë e kanë tepruar.
Pastaj erdhën te Muhammedi alejhi selam dhe e pyetën:
“Ajo që po thua dhe ajo në të cilën na thërret është vërtet e mirë.
Sikur të na lajmëroje se, për atë që kemi bërë, ka falje, atëherë do ta pranonim!”
Atëherë zbriti ajeti kur’anor:
“Dhe ata që përveç Allahut nuk lusin ndonjë zot tjetër dhe nuk mbysin njeri përveç kur e meriton, në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai e gjen ndëshkimin.”
(Furkan: 68)
Gjithashtu edhe ajeti tjetër:
“Thuaj: ‘O robërit e Mi, ju të cilët e keni ngarkuar veten me shumë gabime, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, se vërtet Allahu i fal të gjitha mëkatet.’”
(Zumer: 53)
/Nga Muhamed Salih El Munexhid/


