Feja islame e trajton abortin si krim kundër njerëzimit, kurse në anën tjetër i ka mundësuar embrionit që t’i gëzojë të drejtat e foshnjës së lindur, pra duke e konsideruar këtë si pasuri që duhet të ruhet dhe njëherazi që do të merret në pyetje Ditën e Gjykimit, nëse keqpërdoret.

Ndër të drejtat që Islami i garanton embrionit në këtë fazë të zhvillimit janë:

  • Ringjallja para Allahut dhe kërkimi i llogarisë ndaj kriminelëve nëse vritet pa faj;

  • Përkujdesja për shëndetin e femrës shtatzënë dhe lirimi i saj nga obligimet që mund ta rrezikojnë barrën, si p.sh. lirimi nga agjërimi i Ramazanit;

  • Ndalimi i martesës së femrës shtatzënë, nëse shkurorëzohet përfundimisht pa kthim, apo i vdes burri, derisa ta lirojë barrën;

  • Ndalimi i ekzekutimit të dënimit mbi femrën shtatzënë, nëse shtatzënia rrjedh si rezultat i prostitucionit, derisa të lirohet barra dhe të përfundojë gjidhënia.


Para se të flasim mbi trajtimin e abortit nga këndvështrimi islam, është e rrugës që shkurtimisht ta qartësojmë se kur faktikisht është koha e fryrjes së shpirtit te fëmija.

Ju bëjmë me dije se fetarisht nuk kemi të dhëna të shumta për shpirtin, pra rreth materies së tij. Nuk janë dhënë argumente se prej çfarë materie Allahu e ka krijuar shpirtin, çfarë peshe ka, etj. Është sekret ndër sekretet e Allahut, i Cili nuk i dha njeriut shumë dituri për të, siç thotë Allahu në Kur’an:

“Të pyesin ty për shpirtin. Thuaj: Shpirti është çështje që i përket vetëm Zotit tim, e juve u është dhënë fort pak dije.”
(El-Isra, 85)


Filozofët dhe shkencëtarët e vjetër janë orvatur shumë për të sjellë të dhëna rreth shpirtit, por nuk kanë sjellë asgjë më tepër sesa ka njoftuar Kurani, prandaj gjurmimi rreth kësaj çështjeje është i pafrytshëm.

Imam Neveviu në shpjegimin e koleksionit të Imam Muslimit thotë:

“Shpirti është një trup i padukshëm që qarkullon në trupin e njeriut dhe është i ngjitur për të siç është i ngjitur uji për bimën e njomë.”
(Sahih Muslim 18/278)


Disa dijetarë islamë thonë se ngjitja e shpirtit me trupin është në katër mënyra:

A) Ngjitje në mitrën e femrës, e cila është ngjitje e dobët.
B) Ngjitje në jetën e kësaj bote, ku jeta është në favor të trupit.
C) Ngjitje pas vdekjes (jeta në varr), ku jeta është në favor të shpirtit.
D) Ngjitje pas ringjalljes Ditën e Gjykimit — ngjitja më e plotë, sepse jeta është për të dyja: trupin dhe shpirtin.


Mendimet e dijetarëve mbi kohën e fryrjes së shpirtit

Juristët islamë kanë mendime të ndryshme rreth çështjes se kur ndodh fryrja e shpirtit te fëmija. Tre mendimet më të njohura janë:


 Mendimi i parë:

Shpirti frymohet pas 120 ditëve (4 muaj).
Ky është mendimi absolut i juristëve islamë nga e kaluara dhe e tanishmja.
Ibën Abidini, Kurtubiu, Neveviu, Ibën Kudame e të tjerë kanë sjellë konsensusin islam, si dhe konsensusin e mjekëve në kohën e Ibën Haxherit.

Argument: Hadithi i njohur që tregon se shpirti frymohet në përfundim të muajit të katërt dhe hyrjen në të pestin — pra pas 120 ditësh.


 Mendimi i dytë:

Shpirti frymohet pas 130 ditësh.
Këtë mendim e mbron Ibën Abasi, Said ibën Musejib dhe Imam Ahmedi në një transmetim.

Argumente:

  1. Ajeti:

“E ata që vdesin dhe lënë gra pas veti, ato (gratë) presin katër muaj e dhjetë ditë…”
(El-Bekare, 234)

Sipas Katades, kjo periudhë lidhet me frymëmarrjen e shpirtit.
2. Transmetimi nga Ibën Abasi r.a. që thotë:

“Kur fara të hidhet në mitër, qëndron katër muaj e dhjetë ditë, e më pas i frymohet shpirti.”
(Transmeton Lalekaiu — hadith i dobët sipas verifikimit të Xhamiu ulum vel hikem 1/163)


Mendimi i tretë:

Shpirti frymohet pas 40–45 ditësh.
Ky është një mendim i Imam Ahmedit, Imam Shafiut, Said ibën Musejibit, Is’hakut dhe disa juristëve të tjerë.
Ky mendim është përkrahur edhe nga një pjesë e madhe e mjekëve sipas një simpoziumi të Shoqatës së Shkencave Mjekësore Islame mbajtur në Jordani (1413–1415 h).

Argumente:

  1. Ajeti:

“…atë copë mishi e shndërruam në eshtra, edhe eshtrave ua veshëm mishin, pastaj atë e bëmë krijesë tjetër (me shpirt).”
(El-Mu’minun, 12–14)

Kjo tregon se shpirti frymohet pas formimit të trupit, rreth 40 ditë pas fekondimit.

  1. Transmetimet profetike tregojnë se shpirti frymohet brenda 40–45 ditësh, dhe ky është kuptimi më i afërt me argumentet.


 Mendimi më i saktë

Ndër këto tri mendime, më i saktë është mendimi i parë, se shpirti i frymohet fëmijës me plotësimin e 120 ditëve.
Allahu e di më së miri.


Dr. Sadat Rrustemi
Burimi: www.klubikulturor.com