Pyetja:

A mund të jepet zekati për xhami?

***

Përgjigjja:

Allahu xh.sh. në parim ka përmendur tetë kategori, të cilave u takon dhënia e zekatit. Allahu xh.sh. thotë:

Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t’ju takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që u duhen përfituar zemrat (të dobëtve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve) në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet.” (Tevbe: 60)

Dijetarët islamë duke e komentuar kategorinë e shtatë të përmendur në ajetin kur’anor “…në rrugën e Allahut…”, kanë dhënë dy mendime:

1. Mendimi i parë: Fjala e Allahut xh.sh. “…në rrugën e Allahut…” ka për qëllim luftën në rrugën e Allahut, xhihadin, pra përgatitja e ushtrisë me të gjitha gjërat që kanë nevojë, si: armatim, ushqim, veshmbathje etj.. Këtë mendim e kanë shumica e dijetarëve, si Ebu Hanifja, Maliku, Shafiu, Ahmedi etj..

2. Mendimi i dytë: Fjala e Allahut xh sh. “…në rrugën e Allahut…”, përveçse ka për qëllim luftën në rrugën e Allahut, përfshin edhe veprime të tjera siç është, thirrja në rrugën e Allahut nëpërmjet shkrimeve, debateve, themelimit të qendrave për përhapjen e Islamit, librave, revistave, medieve të ndryshme etj.. Këtë mendim e kanë disa prej dijetarëve, në veçanti ata bashkëkohorë, si dhe disa institucione e akademi bashkëkohore për dhënien e fetvave. Mendimin e tyre e mbështesin në disa argumente:

a) Fjala e Allahut xh.sh.:

Po ti mos i dëgjo jobesimtarët e luftoji ata me të (me Kur’an) me një luftë të madhe.” (Furkan: 52)

Ibën Abasi thotë: “Luftoji ata me të” pra,  “me Kur’an”.[1] Komentuesit e këtij ajeti thonë: “Surja Furkan është sure mekase, pra ka zbritur para se Pejgamberi ﷺ të shpërngulej në Medinë dhe Pejgamberi ﷺ derisa ishte në Mekë nuk e kishte të lejuar luftën, por është urdhëruar që të luftojë me dije, bindje, argumente dhe thirrje.

b) Hadithi i Pejgamberit ﷺ: “Luftoni idhujtarët me pasuritë tuaja, me veten tuaj dhe me gjuhët tuaja.” [2]

Dijetarët e mëhershëm kur kanë thënë se zekati ndalohet të jepet për ndërtimin e xhamisë, janë bazuar në faktin se zekati duhet t’i jepet atij që do të ketë mundësinë e zotërimit (posedimit), ndërsa xhamia nuk është pronë private, atë nuk e posedon askush, por është pronë e interesit të përgjithshëm, prandaj është obligim i shtetit islam dhe udhëheqësit të muslimanëve që të interesohet për ndërtimin e xhamive.

Duke e pasur parasysh se ne jetojmë në një vend ku shteti dhe udhëheqësit tanë nuk interesohen fare për nevojat dhe kërkesat e besimtarëve, e në krye të këtyre nevojave është ndërtimi dhe mirëmbajtja e xhamive, atëherë përgjegjësinë për ndërtimin e xhamive duhet patjetër ta kemi ne si Bashkësi Islame dhe si xhemat musliman, ngase nëse ne nuk interesohemi për xhamitë tona, për shkollat dhe kuadrot tona fetare, atëherë feja jonë në trevat tona do të jetë në rrezik.

Prandaj themi se nëse ka mundësi që xhamitë t’i ndërtojmë me financa vullnetare, atëherë zekatin nuk bën ta japim për ndërtimin e xhamisë, mirëpo nëse nuk kemi mundësi që me financa vullnetare të ndërtojmë xhami -kur nevoja për xhami është e madhe, ngase nëpërmjet xhamisë përhapet fjala e Allahut të Lartësuar- atëherë themi se lejohet dhënia e zekatit për ndërtimin e xhamisë, ngase prej synimeve të zekatit është edhe përhapja e fjalës së Allahut të Lartësuar.

Allahu e di më së miri.

Dr. Shefqet Krasniqi

———————-

[1] Tefsir Ibn Xherir, 19/280.

[2] Ebu Davudi, nr. 2504. Albani e ka thënë: “Hadithi është sahih”.